Lajme
Vdes miku i madh zviceran i shqiptarëve, Roland Wiprächtiger
Pushoi së rrahuri zemra edhe e një miku të madh të shqiptarëve, Roland Wiprächtiger (16.10.1947 – 30.07.2022)
Më 30 korrik 2022 ka pushuar së rrahuri zemra e një miku të madh të shqiptarëve dhe kauzës së shenjtë shqiptare për çlirim e bashkim kombëtar, avokati dhe gjykatësi zviceran, Roland Wiprächtiger.
Në përpjekjet titanike të popullit tonë për çlirim, gjithmonë kishim miq e aleatë që na përkrahnin, anise ata ishin të paktë, shkruan në një postim të tij në fb, veprimtari i njohur nga Lucerni, Agim Sulejmani. Një mik i tillë i madh i shqiptarëve ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit Rolandi, ai i cili që nga gushti i vitit 1981, e sidomos nga pranvera e vitit 1982, ishte një nga mbështetësit dhe ndihmësit e fortë të shqiptarëve në Zvicër, e sidomos i veprimtarëve shqiptarë në Zvicër. I bindur në kauzën tonë të drejtë kombëtare, na përkrahu e ndihmoi pa rezerva. Jo rastësisht në dosjen e tij të pastër tek organet e sigurisë së shtetit zviceran gjendet vetëm aktiviteti i tij në ndihmë të Lëvizjes sonë Kombëtare. Që nga viti 1982 e tutje, janë të shumta lejet e demonstrimit nëpër rrugët e Gjenevës dhe Zürich-ut që mbajnë emrin e Roland Wiprächtiger, shkruan më tutje Sulejmani, transmeton albinfo.ch.
Ai i ndihmoi edhe shumë veprimtarë të çështjes sonë kombëtare, duke i përfaqësuar ata në lëndët e ndryshme gjyqësore, fillimisht si avokat dhe notar, ndërsa nga viti 1996 edhe si gjykatës në Gjyqin Kantonal të Luzern-it. Ai ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Miqësisë Zvicerano-Shqiptare “Shota”. Së fundmi ishte anëtar i Kuvendit Shqiptar në Zvicër, ku dha një kontribut të çmueshëm në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar në Zvicër.
Me zell ai mësoi gjuhën shqipe, duke komunikuar me shqiptarë me ëndje në gjuhën shqipe. Zyra e tij ishte e “dekoruar” me shumë fletëza të varura në muret e saja me foljet e zgjedhura dhe lakimin e emrave shqip. Ai lexonte shqip dhe ndihmonte shumëkend edhe në përkthimin e materialeve politike nga shqipja në gjermanisht. Në dhomën e tij të gjumit mbante të varur në mur një hartë të zmadhuar të Kosovës, të cilën e deshi pa asnjë interes.
Pushimet e tij verore të shumtën e herave i kaloi në Gjilan, në shtëpinë e veprimtarit të çështjes kombëtare Qamil Isufi, ku ai ndjehej si në shtëpinë e vet dhe Qamilin e konsideronte si vëlla.
Roland Wiprächtiger do të ngelet për gjatë kohë në kujtesën e shumë veprimtarëve të çështjes kombëtare, të cilët patën rastin ta njohin nga afër, si një njeri me kulturë të gjerë, i dashur dhe përkushtuar në përpjekjet tona për liri e pavarësi.
Në një intervistë që ai kishte dhënë për një medium zviceran, pyetjes se si është bërë “ekspert për kulturën shqiptare”, Wiprächtiger i përgjigjet kështu: “Unë jam marrë gjithmonë shumë mirë vesh me njerëzit nga trojet shqiptare. Shqiptarin e parë e kam njohur në vitin 1981 dhe që atëherë, rrethi im i të njohurve është rritur vazhdimisht. Pas luftërave ballkanike kam udhëtuar shpesh për në Kosovë, transmeton albinfo.ch. Mua më bën edhe sot përshtypje mikpritja e tyre dhe qasja me shumë respekt ndaj njerëzve të kulturave tjera. Mbase unë kam një mall për jetë të thjeshtë. Kulturën shqiptare pra unë e kam njohur para periudhës sime si gjyqtar”.
Ceremonia dhe shërbimi funeral i trupit pa jetë të mikut tonë të madh, Roland Wiprächtiger, do të bëhet më 19 gusht 2022 në kishën St. Michael në Luzern, duke filluar nga ora 11:00.
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra