Lajme

Vdes ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, ka vdekur në moshën 100-vjeçare, njoftoi kompania konsulente e tij të mërkurën, përcjell albinfo.ch.

Ai vdiq në shtëpinë e tij, në Konektikat.

Kissinger kishte dominuar politikën e jashtme përderisa Shtetet e Bashkuara u larguan nga lufta në Vietnam dhe larguan barrierat me Kinën.

Kissinger kishte ndikim të madh në çështjet globale gjatë shërbimit të tij në mandatet presidenciale të Richard Nixonit dhe Gerald Fordit, duke fituar edhe Çmimin Nobel për paqe.

Fuqia e Kissingerit u rrit gjatë trazirave të shkaktuara nga afera Watergate, kur ai mori një rol të ngjashëm me të bashkëpresidentit, në kohën kur fuqia e Nixonit ishte dobësuar për shkak të aferës.

Një hebre që u largua nga Gjermania Naziste së bashku me familjen e tij, Kissinger në vitet e mëvonshme fitoi reputacionin e një burrështetasi të respektuar, duke ofruar këshilla si për republikanët, ashtu edhe demokratët. Në shumë raste, ai u pa edhe në Shtëpinë e Bardhë në kohën kur Donald Trump ishte president.

Për tetë vjet – fillimisht si këshilltar për siguri kombëtare, e më vonë si Sekretar i Shtetit dhe për një periudhë duke mbajtur të dy këto poste – Kissinger kishte trajtuar çështjet kryesore të politikës së jashtme. Ai kreu “diplomacinë e parë fluturuese” në kërkim të paqes në Lindjen e Mesme. Ai përdori kanale sekrete për të krijuar lidhje midis SHBA-së dhe Kinës, duke u dhënë fund dekadave të izolimit dhe armiqësisë së ndërsjellë.

Kissinger po ashtu kishte nisur negociatat e Parisit për të nxjerrë SHBA-në nga një luftë e kushtueshme në Vietnam.

Ai po ashtu ndoqi një politikë për të ulur tensionet me Bashkimin Sovjetik që çoi në marrëveshje për kontrollin e armëve dhe hapi mundësitë që tensionet e Luftës së Ftohtë dhe kërcënimeve bërthamore të mos zgjasnin përgjithmonë.

Gjatë një interviste dhënë në korrik të vitit 2022 për ABC ai u pyet nëse do të dëshironte të ndryshonte ndonjë nga vendimet e ndërmarra gjatë karrierës së tij.

“Kam menduar për këto probleme gjatë gjithë jetës sime. Është hobi im, por edhe profesioni im. Prandaj, rekomandimet që bëra ishin më të mirat për të cilat atëherë isha i aftë t’i bëja”, kishte deklaruar Kissinger.

Deri në muajt e fundit të jetës së tij, Kissinger u përfshi në çështje globale. Në korrik ai u takua me liderin kinez, Xi Jinping, në Pekin. Dhe 50 vjet pasi diplomacia fluturuese e tij ndihmoi në dhënin fund të Luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1973, kur Izraeli zmbrapsi sulmet e befasishme nga Egjipti dhe Siria, Kissinger kishte paralajmëruar se konflikti mund të përsëritej, pasi Izraeli u përball me sulm të befasishëm nga Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor.

Kissinger fitoi Çmimin Nobel për Paqe për shkak të marrëveshjes së armëpushimit arritur më 1973.

Kissinger ka lënë pas dy fëmijë, Elizabeth dhe David.