Kosova

Vdes babai i ish-presidentit Hashim Thaçi

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka ndërruar jetë Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Ai po trajtohej në QKUK pas një periudhe përballjeje me probleme shëndetësore.

Ndërkohë, vdiq vetëm disa ditë pasi u vizitua nga Hashim Thaçi, nën masa të rrepta sigurie të Gjykatës Speciale, transmeton albinfo.ch.

Ish-presidentit i është refuzuar katër herë kërkesa nga Gjykata Speciale për ta vizituar babain e sëmurë në Kosovë, teksa më 13 mars ka qëndruar për vizitë tek babai i tij në spital për rreth tre orë.

Lidhur me ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të babait të Presidentit Hashim Thaçi. Sot, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar, një burrë që me përkushtimin dhe edukatën e tij ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin tonë. Ngushëllimet më të sinqerta Presidentit Thaçi, familjes Thaçi dhe mbarë kombit shqiptar. Haxhi Thaçi ishte më shumë se një prind – ai ishte një shtyllë e fortë e vlerave atdhetare, një njeri i urtë dhe fisnik, i cili la pas një trashëgimi të pavdekshme në historinë tonë”, ka shkruar ai.