Shkurt.ch

Vazhdon rënia e numrit të azilkërkuesve në Zvicër

Pjesëmarrja e Zvicrës në numrin e përgjithshëm të kërkesave për azil në Evropë, ka shënuar rënie dy vitet e fundit

Në tremujorin e parë, janar mars 2014, në Zvicër kanë kërkuar azil 4894 persona që është për 12 për qind më pak se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kur ishin shënuar 5579 kërkesa për azil.

Ndryshe, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit ë kaluar (janar-mars 2013) zvogëlimi i numrit është 15%.

Ulja e numrit të azilkërkuesve në krahasim me kuartalin e fundit të vitit 2013 (shtator-dhjetor 2013), siç thuhet në një komunikatë të Zyrës Federale për Migracion (BFM) shpjegohet me sezonin e fundit të vitit, kur tradicionalisht ka më shumë paraqitje për azil.

Pjesëmarrja e Zvicrës në numrin e përgjithshëm të kërkesave për azil në Evropë, ka shënuar rënie dy vitet e fundit. Në vitin 2012 ishte 8% ndërsa në atë 2013, 5%. Ky trend vërtetohet edhe në tremujorin e tashëm.

Me 1188 kërkesa për azil, sirianët janë të parët në listë, ndërsa në vendin e dytë janë azilkërkuesit nga Eritrea (512) dhe në të tretin ata nga Sri Lanka (262).

Në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2013 rritje ka shënuar numri i kërkesave të azilit nga Siria, për 11% ose 113 kërkesa më shumë.

Në periudhën janar-mars 2014 janë zgjidhur 6886 kërkesa për azil që është për 1352 ose për 24% më shumë se në kuartalin pararendës, thuhet në komunikatën e BFM.