Zhvillim

Vazhdon mbështetja nga Bazeli për shkollat e muzikës në Kosovë

Përkrahja e Bazelit për shkollat e muzikës, pas Gjakovës vazhdon më tutje: ajo tashmë ka mbërritur edhe Rahovecin dhe Pejën

Para shtatë vitesh Dorothea dhe Georg Fankhauser nga Bazeli kishin filluar mbështetjen e Shkollës së Muzikës ne Gjakovë. Nga ajo kohë, shkolla është rritur dhe niveli i saj ka përjetuar një ngritje të ndjeshme. Në vazhdimësi prezantohen nxënës të rinj të muzikës në koncerte dhe sjellin në provë prirjen e tyre.

Ndërkohë, Dorothea Fankhauser e ka zgjeruar mbështetjen e saj edhe në dy shkolla të tjera të muzikës, në qytezën e Rahovecit dhe në qytetin e Pejës. Kështu, me ngadalë po ngrihet një rrjet i bashkëpunimit muzikor në Kosovë.

Të shtunën e javës që shkoi, muzicientët nga Gjakova dhe Rahoveci nderuan donatoren e tyre.

Sikurse edhe shumë herë deri tash, pak kohë më parë një kamion i ngarkuar me instrumente muzikore mori rrugën nga Bazeli në drejtim të Kosovës. Kësaj radhe ngarkesa nuk shkoi vetëm në Gjakovë por edhe në Pejë dhe në Rahovec. Shkolla e muzikës në Rahovec ekziston vetëm prej tri vitesh dhe mjetet mësimore (instrumentet muzikore) janë shumë të mangëta.

Ashtu sikurse në gjithë Kosovën, edhe këtu mungon paraja ndërsa kultura duket të jetë vendi i fundit ku shteti orienton investimet e veta. Pasi që shumica e prindërve nuk kanë mundësi financiare për t`u blerë fëmijëve të tyre instrumente muzikore, leksionet e muzikës për shumicën janë një luks i papërballueshëm.

Muzika mund të ndryshojë botën për të mirë

Por muzika është e rëndësishme në jetën tonë, ka theksuar Dorothea Fankhauser me rastin e koncertit në Rahovec. Si muziciente amatore ajo ka parë shpeshherë se si muzika sjell entuziazëm dhe optimizëm dhe ndoshta madje mund edhe ta ndryshojë botën për të mirë. Për këtë arsye është preokupim i saj që sa më shumë nxënësve t`ua ofrojë mundësinë për të bërë muzikë.

Në koncertin e mbajtur në Rahovec u prezantuan fëmijë, të rinj dhe të rritur, me formacione kamertale, nga fillestarët e vegjël e deri te studentët, të cilët pas mbarimit të shkollës së mesme të muzikës në Gjakovë përgatitën për karrierën e tyre muzikore në Prishtinë.

Nën drejtimin e Astrit Pallaskës, në përmbyllje kënduan së bashku në kor rreth dyzet fëmijë nga Rahoveci dhe Gjakova. Ata treguan se çfarë ka arritur një dirigjent i rryer orkestre dhe kori brenda pak orëve të muzikës të mbajtura me këngëtarët e vegjël nga Rahoveci, të mbështetur nga kori i ushtruar më gjatë i Gjakovës.

Gëzimi dhe entuziazmi i këngëtarëve dhe instrumentistëve u përcoll edhe në publik.

Drejtorja e arsimit në komunën e Rahovecit Vjollca Vuçiterna dhe drejtori i shkollës së muzikës në Rahovec, Naser Dula, falënderuan donatoren dhe të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin e tyre të madh.

Një bashkëpunim i ngjashëm në mes të shkollave të muzikës është zhvilluar edhe në fillim të vitit, kur orkestra dhe kori nga Gjakova së bashku me Foss-Orkestrën nga Basel-Muttenz kishin shkuar në Mitrovicë për të dhënë një koncert nën qiell të hapur në qytetin e ndarë, së bashku me nxënësit e shkollës së atjeshme të muzikës. Dorothea Fankhauser shpreson se shembuj të tillë do të rrezatojnë dhe do të bëjnë që më shumë fëmijë të përjetojnë se çfarë fuqie pozitive ka muzika dhe si mund t`i lidhë njerëzit. Ajo dhe bashkëshorti i saj mbledhin prej vitesh instrumente nëpër Zvicër me destinim Kosovën, mbështesin talentet e reja, lidhin kontakte me muzicientë të jashtëm të cilët mbajne kurse në Kosovë dhe ushtrojnë koncerte me nxënësit e atjeshëm. Edhe realizimi i dy mjuzikleve në Gjakovë ka qenë fryt i këtij bashkëpuimi. Njëri prej tyre “Arjeta & Gëzimi” është shfaqur edhe në Zvicër.

Muzicientet e reja nga Gjakova japin mësim në Rahovec

Me instrumentet muzikore të dhuruara nga Zvicra, Shkolla e Muzikës në Rahovec tashmë mund të ofrojë më shumë orë leksionesh të muzikës. Si mësuese për flaut, violonçelo dhe violinë janë angazhuar së fundi tri studente të reja të muzikës nga Gjakova për të dhënë mësim në Rahovec. Ato janë: Jeta Gërçari, Drenusha Lota dhe Kaltrina Berisha.

Flautistja Jeta dhe çelistja Kaltrina rrëfejnë mbi rrugën e tyre nga kengëtaret e vogla të korit në Gjakovë e deri te studentet e muzikës në Prishtinë dhe mësueset në Rahovec.

Të dyja vajzat vijnë nga etër të dhënë pas muzikës por asnjëri prej tyre nuk kishte ndjekur shkollim muzikor. Jeta ka kënduar me dëshirë qysh si fëmijë kështu që prindërit e dërguan të këndonte në korin e shkollës fillore, të cilin atëbotë, edhe si drejtor i shkollës së muzikës, e udhëhiqte Astrit Pallaska. Ndërsa Jeta pas një kohe ashtu sikurse Kaltrina u regjistria në ciklin e ulët të shkollës së muzikës. Ndërkaq kur shkolla, falë mbështetjes së Dorothea Fankhauser siguroi instrumente të reja, Kaltrina kishte zgjedhur flautin.

“Unë nuk e kisha as idenë se çfarë instrumenti ishte ky por pasi që motra ime luante me violinë, unë vendosa për flaut”, tregon ajo duke qeshur. “Para se të kaloja në ciklin e lartë unë nuk isha e sigurt nëse do të shkoja në gjimnaz apo do të vazhdoja në shkollën e muzikës”. Por, Jeta pati rastin të merrte pjesë në shumë projekte koncertesh që i sillnin kënaqësi, kështu që ajo vendosi të vazhdonte shkollën e muzikës, ciklin e lartë.

Prej atij çasti edhe për të u bë e qartë se muzikën do ta bënte profesion të sajin. Provimi pranues në Fakultetin e Arteve, drejtimi i muzikës, për Kaltrinën nuk ishte ndonjë pengesë e madhe, pas përgatitjes së mirë që e kishte bërë në Gjakovë. Të dyja tash janë studente te vitit të dytë në Prishtinë dhe kanë bërë tashmë mjaft përvojë me punën në orkestër.

Nga 5esë fëmijë të një familjeje, 3 studentë të muzikës

Kaltrina ka katër vëllezër e motra dhe të pestët, përfshirë edhe atë, si fëmijë kanë kënduar në korin e fëmijëve në Gjakovë ndërsa tre prej tyre sot studiojnë muzikën. Zgjedhja e instrumentit muzikor nuk ishte e vështirë për Kaltrinën pasi që çeloja ishte tashmë shumë afër mendsh, instrumenti i saj. Dhe duke qenë se ajo ka duar të fuqishme, edhe mësuesi ishte i bindur se ky instrument i shkonte asaj.

“Ka qenë vështirë vetëm për faktin se më është dashur të pres gjithë verën deri të vinte shtatori që të filloja të luaj me violonçelo. Por, e kisha një mësues shumë të mirë nga Prizreni, i cili më ka mësuar shumë, jo vetëm nga ana muzikore por edhe nga ajo njerëzore”.

Si të parat nga shkolla e muzikës e Gjakovës, Kaltrina dhe motra e saj morën pjesë në një kurs profesionist në Francë, në të cilin kishin shkuar përmes ftesës së Dorothea Fankauser. Në verën e kaluar dhe atë para saj, ishte edhe Jeta dhe një grup i tërë i përbërë nga nxënësit më të mirë të muzikës që vizituan po ashtu një kurs të tillë në Francë.

Dhe tash, me mësimdhënien në Rahovec fillon një aventurë e re për Jetën dhe Kaltrinën. Të shtunën ato do të marrin një rrugën prej 60 kilometrash me autobus drejt Rahovecit për t`ua mësuar hapat e parë në instrumentet e tyre një grupi prej pesë ose gjashtë fëmijësh. Didaktika në planrogramin e fakultetit të tyre vjen si lëndë vetëm në vitin e tretë, por me mbështetjen e mësuesve të tyre dhe falë internetit, gjegjësisht Youtube, ato janë përgatitur me entuziazëm për sfidën e tyre të re.