Kosova

Vazhdon greva e punëtorëve të administratës së gjykatave e prokurorive

Përfaqësuesit e punëtorëve në prokurori e gjykata u kanë kërkuar falje qytetarëve, por sipas tyre, kanë qenë të detyruar të futen në grevë pas vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave

Punëtorët e administratës të gjykatave e prokurorive kanë shtuar edhe një kërkesë tjetër. Në ditën e pestë të grevës, ata kanë kërkuar që t’u llogaritet edhe përvoja e punës në të ardhura personale, që sipas tyre u është ndërprerë tash e një kohë.

Kjo kërkesë shtesë ka ardhur në mungesë të interesimit për grevën nga ana e Qeverisë, ka thënë kryetari i Këshillit Grevist, Naim Shala.

Në konferencën për media, përfaqësuesit e punëtorëve në prokurori e gjykata u kanë kërkuar falje qytetarëve, por sipas tyre, kanë qenë të detyruar të futen në grevë pas vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave. Në anën tjetër, sipas sindikalistëve sot afër 150 seanca pritet të dështojnë si rezultat i grevës vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës.