Kosova

Vazhdojnë urimet nga liderët botërorë për presidenten Osmani

Vjosa Osmani ka pranuar telegram-urimi nga Princi i Kurorës Mbretërore të Norvegjisë, Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Emiri i Kuvajtit, Princi saudit i kurorës dhe Kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, përcjell albinfo.ch.

E gjitha kjo është vazhdimësi e telegram-urimeve që presidentja Osmani ka pranuar për zgjedhjen e saj në krye të shtetit.

Sipas një njoftimi për media, Princi i Kurorës Mbretërore të Norvegjisë, Haakon, përmes një telegrami ka uruar Osmanin dhe popullin e Kosovës për prosperitet.

Ndërsa, nëpërmjet një postimi në Twitter, Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka uruar Presidenten Osmani për detyrën si dhe ka shfaqur shpresën që institucionet e sapo formuara ta dërgojnë përpara agjendën evropiane.

“Në këtë kontekst, ai e ka cilësuar kyçe çështjen e dialogut me Serbinë”, thuhet me tej në njoftimin për media.

Telegram urimi në adresë të Osmanit ka dërguar edhe Emiri i Kuvajtit, Sheikh Nawaf Al-Ahmad Al-Jabar Al-Sabah,i cili ka shfaqur shpresën për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet të dy popujve.

Presidenten Osmani e ka uruar edhe Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman bin Abdulaziz Al Saud, duke shprehur dëshirën që Kosova të ketë sa më shumë progres.

Ndërsa, Kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Mustafa Sentop, në telegramin e urimit ka shfaqur shpresën që marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve të vazhdojnë edhe nën udhëheqjen e presidentes Osmani.