Lajme

Votat e diasporës nga posta e shpejtë tërhiqen nën përcjelljen e policisë

Sërish ekipet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të asistuar nga Policia e Kosovës, kanë bërë pranimin e kontingjentit të tretë të pakove me fletëvotimeve të diasporës nga dy posta të shpejta në kryeqytet, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se thasë të shumtë me vota janë futur nëpër makinat zyrtare të KQZ-së dhe janë transferuar më pas në objektin e caktuar.

Nga ana tjetër, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka bërë të ditur se vetëm më 6 shkurt dhe 8 shkurt është bërë pranimi i më shumë se 5 mijë pakove nga diaspora me fletëvotime.

Sipas tij, pakot do të jenë në mbrojtje të Policisë së Kosovës në Ministrinë e Infrastrukturës, ku do të jenë edhe në mbikëqyrje të kamerave dhe me 14 shkurt, pra ditën e zgjedhjeve, do të dërgohen në Qendrën e Numërimit të Votave për verifikim.

Rikujtojmë se mbi 102 mijë persona janë regjistruar si votues në diasporë. /Albinfo.ch