Lajme

Vazhdojnë sulmet me raketa në drejtim të aeroportit në Kabul

Mësohet se disa raketa u hodhën drejt aeroportit të Kabulit mëngjesin e së hënës, derisa trupat amerikane përgatiten të tërhiqen nga Afganistani, përcjell albinfo.ch.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se pesë raketa u lëshuan në aeroport, porse u penguan nga sistemi i mbrojtjes raketore.

Thuhet se nuk është e qartë nëse të gjitha raketat u shkatërruan, pasi banorët lokalë raportuan për rënien e disa copave në rrugë.

Raporte për viktima nuk ka.

AP citoi dëshmitarë të kenë thënë se raketat goditën lagjen Salim Karvan, pranë aeroportit dhe se shpërthimet u pasuan me të shtëna me armë.

Afganistani ka rënë nën kontrollin e talibanëve – grup militant islamik – më 15 gusht.

Në kuadër të një marrëveshjeje me talibanët, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka caktuar 31 gushtin si afat për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.

SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë evakuuar mbi 117,000 njerëz – të huaj dhe afganë – nga aeroporti i Kabulit, prejse talibanët kanë marrë kontrollin, dy javë më parë.

Forcat amerikane tani janë përqendruar në largimin e tyre dhe të diplomatëve amerikanë.

Biden dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë kanë paralajmëruar se orët e fundit të operacioneve në Kabul do të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Biden është informuar për sulmin me raketa në aeroportin e Kabulit, por tha se “operacionet janë duke vazhduar pa ndërprerë”.

Biden “ka rikonfirmuar urdhrin e tij që komandantët t’i dyfishojnë përpjekjet për të bërë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur forcat tona në terren”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Të shtunën, ushtria amerikane tha se një sulm i saj me dron mbi një automjet në Kabul ka parandaluar një sulm të grupit militant Shteti Islamik Khorasan, që kishte në shënjestër njerëzit e tubuar në aeroportin e kryeqytetit.

Sulmi me dron u krye dy ditë pasi një sulm vetëvrasës i Shtetit Islamik Khorasan jashtë aeroportit të Kabulit la të vrarë rreth 170 afganë dhe 13 trupa amerikane.

Pentagoni tha më pas se ushtria amerikane ka kryer një sulm hakmarrës me dron në provincën lindore të Afganistanit Nangarhar, duke vrarë dy anëtarë të grupit Shteti Islamik Khorasan.

Shumica e mijëra anëtarëve të këtij grupi besohet se fshihen në këtë provincë, që ndodhet në lindje të Kabulit.

Të dielën, Biden takoi familjet e 13 ushtarëve amerikanë, të vrarë në sulmin në Kabul.

Ai mori pjesë në një ceremoni për nderimin e viktimave në bazën e Forcave Ajrore Dover, në Dellauer.

Zyrtarë të inteligjencës amerikane thanë se kanë marrë kërcënime të tjera “specifike” dhe “të besueshme” kundër aeroportit të Kabulit dhe se ushtria do të vazhdojë të kryejë sulme të shënjestruara aty ku është e nevojshme.

SHBA-ja i këshilloi njerëzit që të qëndrojnë larg zonës, pavarësisht se koha për këdo që ende përpiqet të hyjë në fluturimet e evakuimit po mbaron.