Kosova

Fajdet në Kosovë: Për 14 mijë, i kërkoi 36 mijë euro

Është bërë e ditur se Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti Rajonal i Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Pejë, ka pranuar informacionin se një qytetar ka marrë 14 mijë euro me fajde.

Nga kjo thuhet se i dyshuari në fund të muajit shtator 2019 i kërkoi 36 mijë euro viktimës si detyrim për paratë e ofruara më herët.

Policia e Kosovës dje ka zbatuar masat e fshehta të hetimit dhe ka arrestuar  të dyshuarin me inicialet K.B. viti i lindjes 1978.

“Pas sjelljes së të dyshuarit në Stacionin Policor Istog, i njëjti është kontrolluar në prezencë të avokatit mbrojtës, tek i dyshuari janë gjetur dhe konfiskuar 34 mijë e 950 (tridhjetë e katër mijë e pesëdhjetë) euro të cilat viktima paraprakisht ia ofron të dyshuarit”, ka njoftuar policia.

Sipas raportit të Policisë, thuhet se organet e drejtësisë kanë kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur dëshmi relevante, të cilat do të përdoren në procedura të mëtejme gjyqësore, po ashtu është gjetur edhe një pistoletë. Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari dërgohen në mbajtje prej 48 orëve.