Kosova

Vazhdohet me logjikën e patriarkatit: Anashkalohen gratë në zgjedhjet lokale

Nga 38 komuna, në të cilat do të mbahen zgjedhjet lokale, vetëm në gjashtë prej tyre kandidate për kryetare janë gra, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK nuk e ka asnjë femër në garë

Në garën për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor në Kosovë, gratë janë anashkaluar pothuajse tërësisht nga lufta për kryetar të komunave. Nga 38 komuna, në të cilat do të mbahen zgjedhjet lokale, vetëm në gjashtë prej tyre kandidate për kryetare janë gra, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK nuk e ka asnjë femër në garë.

Përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave, thonë se arsye e moskandidimit të grave, është mungesa e vullnetit politik të lidershipit partiak që të fusin kandidate femra në listat e tyre. Hapësira që kanë gratë në partitë politike, sipas tyre, shfrytëzohet vetëm për numra dhe jo që të kandidojnë për pozita të larta.

Jeta Krasniqi është menaxhere e projektit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI). Ajo thotë për REL se trendi i kandidimit të grave për kryetare të komunave në të gjitha zgjedhjet lokale ka qenë i ulët, përfshirë edhe zgjedhjet e 22 tetorit. Kjo, sipas saj, tregon se gratë në partitë politike nuk kanë hapësirë të mjaftueshme.

“Ne shohim se partitë politike, vetëm kur ka kuota ligjore, e zbatojnë kuotën dhe i propozojnë gratë si pjesë e vendimmarrjes, si në nivelin legjislativ qendror, po ashtu edhe komunal. Por, kjo nuk ndodh edhe atëherë kur nuk ka një masë afirmative. Pra, partitë politikë nuk kanë një strategji të mirëfilltë që duan t’i shohin gratë si pjesë e barabartë e vendimmarrjes”, thotë Krasniqi.

Edhe Luljeta Demolli, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, thotë se numri i kandidateve femra për kryetare të komunave është shumë i vogël. Madje, sipas saj, nuk po respektohen as ligjet në fuqi.

“Numri është shumë i vogël, kemi pritur një numër më të madh,sidomos nga partitë që kanë elektoral më të madh. Dhe, mos të harrojmë se në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 qershorit, vetëm 35 për qind e grave kanë votuar. Nëse nuk rritet numri i grave kandidate në zgjedhje, si në nivel lokal, po ashtu edhe në atë qendror, mund të ketë rënie të pjesëmarrjes së grave në votime”, thotë Demolli.

Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi, meshkujt dhe femrat duhet të kenë të drejta dhe mundësi të barabarta për pjesëmarrje të plotë në të gjitha aspektet dhe nivelet e proceseve politike.

Madje, në Ligjin për Barazi Gjinore, thuhet se partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive.

Por, Jeta Krasniqi thotë se partitë politike duhet të demokratizohen, njëherësh edhe vetë gratë duhet të jenë më këmbëngulëse për t’u përfshirë në proceset vendimmarrëse.

“Partitë politike duhet të demokratizohen dhe të krijojnë hapësirë më tepër brenda tyre për gratë, pasi një numër të vogël të grave ka qoftë në udhëheqësi të partisë, qoftë edhe në degë apo nëndegët e partive. Po në të njëjtën kohë edhe gratë duhet të jenë më insistuese, më këmbëngulëse, që të marrin vendin e tyre në tryezë dhe të krijojnë hapësirë edhe brenda partive politike”, konsideron Krasniqi.

Ndryshe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e kanë asnjë femër për kryetar komunash, Partia Demokratike e Kosovës kandidon me tri femra në zgjedhjet lokale, Aleanca për Ardhmërinë me një kandidate, me numër të njëjtë garon edhe Nisma për Kosovën dhe Alternativa.