Opinione
Varshmëria nga ndihmat sociale dhe rreziku për humbjen e lejes së qëndrimit C
Duhet pranuar se rregulla e tillë është vërtet e ashpër dhe shumë shpejt kanë filluar të ndjehen pasojat e saj
Në të kaluarën, apo para miratimit të Ligjit të ri për të huaj dhe integrim, ishte sadopak vështirë të gjendet ndonjë shembull i humbjes së lejes së qëndrimit C.
Ligji i ri zviceran për të huaj që hyri në fuqi më 1 janar 2019 nuk e anashkaloi një rregull (neni 63 i Ligjit) që ka të bëjë me revokimin (humbjen) e lejes C, në qoftë se plotësohen disa kushte.
Një dëshirë, pra, e ligjvënësit për ashpërsimin e kushteve mbi statusin e qëndrimit të një kategorie të të huajve.
Duhet pranuar se rregulla e tillë është vërtet e ashpër dhe shumë shpejt kanë filluar të ndjehen pasojat e saj.
Në mesin e kritereve, të cilat u lejojnë autoriteteve vendimmarrëse që të revokojnë një leje, e gjejmë posaçërisht në një dispozitë ligjore që ka të bëjë me varshmërinë nga ndihmat sociale.
Ligji nuk parashikon megjithatë aspak kohëzgjatjen e varshmërisë, e as nivelin e shumës së ndihmave të marra, që do të shërbenin pastaj si bazë për revokimin e lejes.
Janë autoritetet kompetente ato të cilat duhet të vlerësojnë se në cilat raste arsyetohet që dikujt t’i tërhiqet leja C.
Nëse ligji nuk jep sqarime të mjaftueshme, praktika profesionale na tregon se autoritetet vendimmarrëse përqendrohen në një analizë gjithëpërfshirëse të dosjes së kandidatit.
Merret parasysh sidomos ajo se personi që merr ndihma nga shteti a është në gjendje të punojë dhe a mund të sigurojë pavarësinë e tij financiare.
Dy shembuj sa për ilustrim
– Nëse një person gjendet në pushim mjekësor, dhe është në pritje të një vendimi nga sigurimi invalidor, kurse ndërkohë varet nga ndihmat sociale, nuk rrezikon, në parim, humbjen e lejes C. Por edhe kjo nuk është një rregull e përgjithshme, pasi që çdo gjë varet edhe nga “dosja e invaliditetit” dhe gjendja procedurale e trajtimit të dosjes (procedurë e posafilluar apo ankesore);
– Një shembull tjetër: një nënë që duhet të përkujdeset për fëmijët e saj të moshës parashkollore, dhe për këtë arsye gjendet në pamundësi për të punuar, gëzon gjithashtu një mbrojte të veçantë. Është fjala posaçërisht për personat që me plot arsye nuk punojnë me kohë të plotë pune, apo nuk mund të punojnë aspak, dhe kështu varen përkohësisht nga ndihmat sociale.
Kësisoj, ndryshe do të trajtohet, pra, rasti i një personi që nuk ka argumente të mjaftueshme apo bindëse për ta arsyetuar varshmërinë brenda një kohe të gjatë nga ndihmat sociale.
Në kuadër të shqyrtimit të një dosje natyrisht se merren parasysh edhe rrethana të tjera që lidhen me kandidatin, siç janë kohëzgjatja e qëndrimit në Zvicër, niveli gjuhësor, shkalla e integrimit, borxhet eventuale ndaj shtetit, kryerja e veprave penale etj.
“Fati” i kandidatit ndodhet, pra, në duart e autoriteteve që duhet të vendosin. Ata posedojnë një liri vërtet të madhe në kuadër të marrjes së vendimeve të tyre. Është pikërisht liria e madhe e autoriteteve ajo e cila shkakton nganjëherë telashe për ne juristët, për t’ i gjetur argumentet e mjaftueshme për t’ iu kundërvënë vendimeve të tyre në rast të revokimit të lejes.
Tërheqjes së lejes C sipas kushteve të sipërpërmendura mund t’i shtojmë edhe shembuj të tjerë të parashikuara me ligj, siç janë: humbja e lejes për shkak të informatave të rrejshme të dhëna para fitimit të saj, veprat e keqpërdorimeve, rastet e dënimit me burg të rëndë, etj.
Një rregull tjetër e përgjithshme thotë se leja C mund të humbet nëse nuk përmbushen kushtet e integrimit. Kuptimi i saj nuk është aq i qartë, pasi që definimi i integrimit sipas ligjit për të huaj nuk gëzon aspak përkrahjen e të gjithë juristëve.
E gjithë kjo që u përmend më lart nënkupton edhe atë se ekzistojnë dallime të mëdha në praktikat e ndryshme të kantoneve zvicerane. Me siguri se hasim kantone më të ashpra se disa të tjerë!
Si zakonisht, në rast të humbjes së lejes C, kalohet në atë B, kurse shumë më rrallë në humbjen e plotë të statusit të qëndrimit në Zvicër.
Lirim Begzati
Neuchâtel, më 22.10.2022
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve Kombëtarja e Kosovës, në Zvicër...
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025