Kosova

Varroset kosovari që humbi jetën në vendin e punës

Një ditë para se të mbushte 38 vjet, N.E. vdiq në një aksident në vendin e tij të punës në Sllatinë të Fushë Kosovës.

Të shtunën kur kishte ditëlindjen, ai u varros në fshatin e tij, Sibovc i Poshtëm të Podujevës.

Ai ishte i vetmi nga familja e tij që punonte në një kompani ndërtimi për të mbajtur familjarët e tjerë. Familjarët kanë deklaruar prapa kamerës se i ndjeri punonte qe tre vjet, derisa kanë thënë se nuk e dinë nëse kishte kontratë pune, raporton Kohavision.

I tronditur nga ky rast, është shprehur kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Sipas Azemit, shteti e ka për obligim që të kujdeset për familjet e personave që vdesin në vendin e punës.

Ai ka shtuar se pasi institucionet nuk janë duke bërë një gjë të tillë, do të angazhohet që sindikata t’u dalë në ndihmë këtyre familjeve.

Policia e ka cilësuar rastin si vdekje të dyshimtë. Sipas policisë, gjatë kohës sa ishte duke punuar, viktima dyshohet të ketë rënë nga rreth 5 metra lartësi.

“Viktima mashkull N.E (1981), gjatë kohës kur ishte duke punuar, dyshohet të ketë rënë nga shkallët, nga një lartësi 4-5 metra dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore. I njëjti menjëherë është përcjellë në QKUK, ku nga ekipi mjekësor, është konstatuar vdekja e tij. Me rastin po merren policia dhe institucionet e tjera përkatëse”, ka thënë Policia e Kosovës.

Sipas statistikave të Sindikatës së Sektorit Privat vetëm brenda 6 muajve të parë të këtij viti janë shënuar 10 raste të vdekjeve në vendin e punës.

Në vitin 2018, janë shënuar 27 raste të tilla, shtatë më shumë se më 2017-n.

Burimi: koha.net