Shqipëri

“Vanity Fair Italia”: Pushoni në plazhet idilike të Shqipërisë

Pushime në Shqipëri? Ajo është destinacioni i verës. Plazhe, gjire sekrete dhe fshatra me shpirt të lashtë. Kështjella me pamje nga deti, vende arkeologjike të fshehura në pyje dhe mikpritje e ngrohtë, shkruan Francesca Masotti në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “Vanity Fair Italia”.

Udhëtoni pas në kohë dhe humbisni mes rrënojave antike, pushoni në plazhet idilike dhe kushtojini disa orë vizitave kulturore në vendin mesdhetar.

Nuk është rastësi që “Lonely Planet” dhe “New York Times” e kanë përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve kryesore për të kaluar pushimet. Toka e Shqiponjave është destinacioni i ri në modë në Mesdhe.

“Shqipëria është një vend me përmasa të vogla, por gjeografikisht shumë i larmishëm.  Nga Alpet veriore deri te plazhet përgjatë bregdetit jugor, duke kaluar nëpër qytetet e artit, fshatrat, lagunat, liqenet dhe zonat arkeologjike, është një destinacion udhëtimi që kënaq nevojat e çdo vizitori”, tha ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, në Forumin FESTA në Tiranë.

“Pa harruar se territori ynë përshkohet nga Lumi Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës – një habitat vendimtar në ruajtjen e llojeve të ndryshme të kafshëve dhe bimëve – i cili sapo është shpallur Park Kombëtar”, shtoi ajo.