Lajme
Vanesa Lika, artiste e re, por me potencial të madh në Zvicër
Pikturat e bukura të Vanesës u ekspozuan në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë.
Vanesa Lika tashmë është emri më i ri i suksesit në fushën e pikturimit në shtetin zviceran dhe në mbarë shqiptarinë. Që në shikim të parë Vanesa përçon pozitivitet me buzëqeshjen e saj, ndërkohë që në pikturat e saj gërsheton ngjyrat më të bukura, duke dhuruar profesionalizëm.
Ajo çfarë e shquan më shumë atë, është mjeshtria e portretizimit të femrave shqiptare me veshje kombëtare
Pozitiviteti, energjia e punës dhe ambiciet për jetën, janë tri shtyllat kryesore për Vanesen dhe asnjëherë nuk i ndali përpjekjet duke punuar për ëndrrat e saj.
Ajo ka lindur në Gjenevë, rrjedh nga një familje shqiptare, prindërit e së cilës janë me prejardhje nga Kaçaniku.
“Kam përfunduar shkollën fillore këtu në Gjenevë, tani jam studente në Fakultetin e Shkencave të Edukimit në Universitetine Gjenevës. Përveç kësaj, jam edhe anëtare e kryesisë së Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Gjenevës, me të cilët organizojmë evente të ndryshme për të promovuar kulturën shqiptare”, tregon ajo.
Vanesa, ekskluzivisht për revistën albinfo.ch, ka rrëfyer jetën e saj, arritjet, profesionin, në veçanti pikturimin.
“Unë kam lindur në Zvicër, por prindërit e mi më kanë folur shqip në shtëpi. Prandaj, kur fillova shkollën në Gjenevë, nuk dija të flisja frëngjisht. Natyrisht, jam rritur me kulturën shqiptare dhe kam ndier dallimin me shoqërinë time zvicerane në disa raste, por kjo nuk më ka penguar shumë. Komuniteti shqiptar këtu në Gjenevë dhe në Zvicër në përgjithësi është i madh, kështu që nuk kam ndier shumë mall për Kosovën apo Shqipërinë. Gjithashtu, gjithmonë kam qenë shumë e mirëpritur në shoqërinë zvicerane”.
E pyetur nga revista rreth rrugëtimit të saj kundrejt pikturimit, se si lindi dëshira dhe ideja që ajo të praktikojë këtë fushë që është sa e ndjeshme, aq edhe e bukur, Vanesa u shpreh: “Gjithmonë kam pëlqyer të vizatoj që kur isha e vogël. Ishte një nga aktivitetet e mia të preferuara në shkollë. Në gjimnaz vendosa të zgjedh artet vizuale si opsion specifik, në këtë mënyrë munda të provoja teknika të ndryshme dhe të interesohesha më shumë për historinë e artit. Paralelisht u interesova më shumë për kulturën time të origjinës dhe zhvillova një pasion për elementët tanë folklorikë. Kur fillova të pikturoja më seriozisht, ishte e natyrshme të fokusohem te elementët tradicionalë për pikturat e mia gjithashtu. Është një mënyrë për mua që të shpreh veten dhe të ruaj lidhjen me origjinën time”.
Duke qenë se pikturimi është një profesion dhe në të njëjtën kohë më shumë ndjenjë, Vanesa tregon se fillimisht pikturimin e praktikonte për kënaqësinë e saj personale, të bukurën për veten e saj dhe ishte më shumë se një hobi.
“Gradualisht pashë që njerëzit përreth meje interesoheshin për atë që bëja dhe fillova të pikturoj gjithashtu për të tjerët. Është diçka që më pasionon dhe që më qetëson. Nëse kjo mund të bëhet një profesion për mua, do të ishte ideale”, tregon ajo.
Ekspozita e parë kushtuar kulturës dhe traditave shqiptare
Vanesa para pak ditësh ka hapur një ekspozitë me punimet saj në Zvicër, e cila do të zgjasë deri më 1 korrik. Kjo ekspozitë pati interesim për artdashësit dhe u vizitua shumë, pasiqë u mbajt në ambientet e Konsullatës së Gjenevës.
“Kam një ekspozitë që u hap më 21 qershor 2024 në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë. Kjo është ekspozita ime e parë dhe për këtë arsye zgjodha një temë mjaft të përgjithshme, por që, sipas mendimit tim, është e pasur me kuptim, duke qenë se përfaqëson pasurinë e kulturës sonë. Ekspozita përmban piktura që përfaqësojnë gra që mbajnë veshjet tona tradicionale nga rajone të ndryshme. Për mua, kjo është një mënyrë për të treguar anën prestigjioze dhe pasurinë artizanale të kostumeve tona. Në të njëjtën kohë, dëshiroj të përfaqësoj elegancën dhe forcën e gruas shqiptare përmes qëndrimit të saj dhe shkëlqimeve të arta dhe ngjyrave. Në përgjithësi, kishte shumë interes për pikturat dhe kryesisht nga komuniteti shqiptar, sigurisht për shkak të përfaqësimeve kulturore dhe emocioneve si dhe krenarisë që ato ngjallin te populli ynë”, tregon ajo.
Veçantitë në pikturat e Vanesës janë portretizimi i femrave me veshje kombëtare, ku përmes tyre tregon saktësisht peshën e femrave shqiptare, delikatesen e veshjes së tyre, duke i gërshetuar ngjyrat më të bukura për to.
“Mendoj se veprat e artit janë një mënyrë e bukur për ne, të rinjtë e diasporës, për të kuptuar pasurinë e kulturës sonë dhe, pse jo, edhe për të ngjallur interesin e rinisë sonë për elementët antikë. Gratë e reja që përfaqësoj në pikturat e mia janë shpesh gra që duken të qeta dhe që reflektojnë elegancën e kulturës sonë, ndërsa të tjerat janë më të fuqishme dhe përfaqësojnë forcën përmes qëndrimit të tyre. Veshjet janë një artizanat që mendoj se është e rëndësishme të transmetohet, sepse siç kemi parë tashmë me Xhubletën, e cila tani është e mbrojtur nga UNESCO për artizanatin e saj, ne kemi veshje po aq të bukura, sa të pasura me histori dhe artizanat”.
Zviceranët tregojnë interes të madh në pikturat e Vanesës
E pyetur se cila është një nga piktuart që është pëlqyer më së shumti nga audienca zvicerane, Vanesa tregon se nuk mund të specifikojë njërën pikturë më shumë se tjetrën, pasiqë, sipas saj, të gjitha e kanë ndjeshmërinë e tyre.
“Megjithatë, zviceranët kanë shfaqur një interes të madh për pikturat e mia, duke u përpjekur në veçanti të interesohen për personazhet që kam pikturuar ose thjesht duke admiruar bukurinë e veshjeve tona”, tregon Vanesa.
Tutje Vanesa tregon se gjatë kurseve të saj të historisë së artit, ajo ka pëlqyer më shumë të mësojë për impresionizmin dhe përpiktorët e ndryshëm që ishin pjesë e këtij stili artistik.
“Pikturat e Claude Monet më kanë tërhequr gjithmonë dhe, mendoj, më kanë shtyrë të zbuloj më shumë. Gjithmonë e kam gjetur interesante lojën e dritës në piktura përmes ngjyrave dhe përpiqem sipas pikturave të shtoj një prekje drite në veprat e mia. Kjo prekje drite ndonjëherë shtohet me fletë ari në pikturate mia dhe për këtë jam frymëzuar nga veprat e Gustav Klimt, i cili herë pas here përdor fletë dhe shkëlqime ari për t’i dhënë njëpamje luksi dhe prestigji personazheve të tij”.
Ndërkohë, Vanesa është shumë e lidhur me Kosovën dhe së paku 1 apo 2 herë në vit e viziton atë.
“Vij në Kosovë një apo edhe 2 herë në vit, është momenti që pres më shumë. Mendoj se jam shumë e lidhur me origjinën dhe tokat tona, kështu që ndoshta do të shkoj të vizitoj të gjitha territoret tona në të ardhmen për të pasuruar kulturën time dhe, pse jo edhe të kthehem për t’u vendosur përfundimisht aty”, përfundon ajo.
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriVanesa Lika
- Prejardhja:Gjenevë
- Vendi ku vepron:Gjenevë
- Profesioni:Artiste - Piktore
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm Shkrimtari shqiptar Pajtim Statovci merr çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm për romanin “Lopa pjell natën” ...
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
-
Një rrugë në Filadelfia të SHBA-së merr emrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”
Jeta në Zvicër
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor Të mërkurën, Këshilli Federal vendosi hyrjen në fuqi të urdhëresës përkatëse për 1 janar 2025, ashgu...
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025
-
Shumica e zviceranëve nuk i pëlqejnë masat shtrënguese të qeverisë së tyre