Lajme

Valis: Nëpunësit gjejnë një pluhur të dyshimtë në postën e tyre

Gjashtë punonjës që kishin rënë në kontakt me letrën u izoluan përkohësisht dhe u ekzaminuan në vend nga mjekët

Të martën, punonjësit e një kompanie sigurimesh në Sion zbuluan një zarf që përmbante pluhur me përmbajtje të panjohur. Prokurori publik ka nisur hetimet.

Sipas policisë së kantonit Valis, një nga punonjësit me këtë rast ka kontaktuar qendrën operative të martën, pak pas orës 7:50 të mëngjesit, pasi ka marrë postën, transmeton albinfo.ch. Njësiti i zjarrfikësve i cili u thirr menjëherë pas denoncimit, evakuoi katin e parë të pallatit në fjalë, shkruan agjencia e lajmeve SDA.

Specialistët nga uzina kimike Compagnie Industrielle de Monthey SA (CIMO) janë thirrur për të asgjësuar zarfin.

Gjashtë punonjës që kishin rënë në kontakt me letrën u izoluan përkohësisht dhe u ekzaminuan në vend nga mjekët.

Policia kantonale e udhëhequr nga prokurori publik ka nisur hetimet.

Në shërbim lidhur me rastin janë përfshirë policia e kantonit, CSI Sion, specialistët e zjarrfikësve për vendndodhjen e kimikateve CIMO, policia rajonale, ambulanca dhe specialistët e NBC.