Zhvillim

Vala, gati rrjetin 3G dhe 4G

Projekt i internetit të shpejtë 3G dhe 4G, pritet të përfundojë zyrtarisht më 28 prill. Ky projekt i ka kushtuar PTK-së 35 milionë eurove

Përfaqësuesit e Postës dhe Telekomit të Kosovës kanë prezantuar të premten projektin investiv në vlerë 35 milionë euro për shtrirjen e rrjetit 3G dhe 4G në gjithë territorin e vendit. Ky projekt i cili përfundon me 28 prill, u prezantua para ministrit për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci.

Drejtori menaxhues i kompanisë më të madhe publike në Kosovë (PTK), Agron Mustafa tha se ky investim, që ka të bëjë me shtrirjen e rrjetit 3G dhe 4G, e kthen PTK/VALA-n në njërën prej kompanive më moderne dhe më inovative në të gjithë Ballkanin sa i përket plaftormës së internetit të shpejtë.

Gjithashtu, investimi si i tillë ka qenë njëri prej më komplekseve që ka realizuar PTK gjatë viteve të fundit, duke përmbyllur ciklin e kompanisë drejt modernizimit dhe avansimit.

“Sot ia prezantuam ministrit njërin prej investimeve më serioze që ka realizuar PTK. Mund t’iu njoftojmë se ky investim gjigant do të përfundojë më 28 prill. Me përfundimin e këtij projekti, PTK jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë regjionin do të jetë lider sa i përket teknologjisë”, tha Mustafa .

Ky projekt i internetit të shpejtë 3G dhe 4G, pritet që të ketë mbulueshmëri gati në të gjithë territorin e banuar të vendit ku do të mund të shërbehen të gjithë konsumatorët.

“Erdhëm sot këtu për t’u njohur me të tashmen dhe të ardhmen e kompanisë më të madhe në vend, duke marrë sinjale të qarta dhe pozitive nga Bordi dhe menaxhmenti i saj, lidhur me fazat e zhvillimit. Qeveria do të ofrojë përkrahje strategjike në avancimin teknik dhe profesional të kompanisë”, bëri të ditur ministri për Zhvillim Ekonomik, Stavileci.