Të tjera

Vajzat nga Kosova sjellin në treg qilima me motive tradicionale shqiptare

Dy vajza nga Kosova, Fitore Syla dhe Njomza Havolli, në studion e tyre të dizajnit “Muza” kanë krijuar koleksionin e tyre të parë me motive tradicionale të quajtur "Harmony Collection"

Shqiptarët ndër shekuj kanë kultivuar punën me dorë, si të veshmbathjeve kombëtare, ashtu dhe shtrojave me motive tradicionale. Në dekadat e fundit vihet re një zbehje e kultivimit të punës me dorë ndërsa ruajtja e këtyre traditave ka marrë më shumë rol simbolizues të së kaluarës sonë.

Por jo të gjithë kanë lënë në harresë traditën shqiptare. Dy vajza nga Kosova, Fitore Syla dhe Njomza Havolli, në studion e tyre të dizajnit “Muza” kanë krijuar koleksionin e tyre të parë me motive tradicionale të quajtur “Harmony Collection” apo në shqip, “koleksioni harmonik”.

Në një intervistë për Albinfo.ch, Fitore Syla ka treguar detaje rreth inspirimit dhe punës së tyre me qilimat.

 

Duke jetuar mes artefakteve të historisë e kulturës sonë, nuk ka se si të mos fillojmë diçka të re, pa u inspiruar në të. Ne si popull, gjithmonë i kemi dashur ato, janë pjesë e pandashme e shtëpisë, e familjes sonë. Ato janë të pranishme në çdo emocion tonin, në gëzimet tona, përqafimet tona, vallëzimet e buzëqeshjet tona. Përmes këtyre qilimave, ne më shumë se kurrë ndërlidhemi me atë që kemi mësuar nga e kaluara, harmoninë mes njëri-tjetrit… Muza ka krijuar brendin e saj të parë të tepihëve në Kosovë, Muza Rugs me koleksionin e parë “Harmony Collection”, 7 qilima, 7 dizajne, 7 tregime”, është shprehur ajo.

Dizenjatorja Syla ka theksuar edhe rëndësinë që i kanë kushtuar materialit me të cilin janë punuar qilimat.

Qasje ekologjike

Ne kemi dashur që patjetër të kemi qasje ekologjike në çdo hap të prodhimit te tyre. Tepihët e Muza Rugs janë punuar me një sistem të quajtur “Hand Tufted” qe i bie “përpunim me dorë” dhe materiali qe kemi përdorur është 100% lesh nga delet e Zelandës së Re”, tregon ajo për Albinfo.ch.

Muza Rugs do të funksionojë përmes blerjes online dhe shpejt pritet të ketë qasje për të gjithë anekënd botës, e personat që pëlqejnë artin tradicional do të mund t’i porosisin ato përmes ueb faqes së tyre muzarugs.com.

Sa i përket pëlqimit të punës së tyre, Fitore Syla ka treguar se sapo kanë filluar me promovimin dhe se puna e tyre po parapëlqehet nga shumica, ndërsa e ka cilësuar si fillim të suksesshëm.

Pyetjes së Albinfo.ch se cilat janë planet e tyre për të ardhmen, themelueset e studios “Muza” i janë përgjigjur duke thënë se janë të motivuara për çdo sfidë.

“I japim formë të ardhmes sonë”

Ajo çfarë na motivon çdo ditë është fakti që puna dhe profesioni ynë ndërlidhet direkt me përmirësimin e jetesës së njerëzve. Ne do të punojmë pareshtur, duke u forcuar çdo ditë e më shumë në ide e koncepte të reja, që do të ndihmojnë edhe më shumë mirëqenien tonë. Jemi shumë të lumtura që jemi pjesë e një shoqërie në zhvillim e sipër, që jemi ne ato që do t`i japim formë së ardhmes sonë”, kanë përfunduar Fitorja dhe Njomza.

Studio e dizajnit “Muza” këtë vit shënon 6 vjetorin e themelimit dhe deri më tani ka realizuar projekte të suksesshme që kanë frymëzuar shumë njerëz. Kjo, sigurisht nuk është për t’u habitur pasi edhe vet emri i kompanisë “Muza”, është fjalë që në të kaluarën e lashtë ka nënkuptuar hyjneshat e frymëzimit në arte, derisa sot ndërlidhet me emrin e gruas si burim frymëzimi artistik.

Ndryshe, Fitore Syla me profesion dizajnere dhe Njomza Havolli, me profesion arkitekte, janë bashkëthemeluese të kësaj studio. Përvoja e tyre e gjatë në fushat përkatëse dhe fakti  sevijnë nga dy fusha të ndryshme ka ndikuar që Muza ta ketë këtë sukses.

“Muza”, si burim frymëzimi

Studio e dizajnit “Muza” këtë vit shënon 6 vjetorin e themelimit dhe deri më tani ka realizuar projekte të suksesshme që kanë frymëzuar shumë njerëz. Kjo, sigurisht nuk është për t’u habitur pasi edhe vet emri i kompanisë “Muza”, është fjalë që në të kaluarën e lashtë ka nënkuptuar hyjneshat e frymëzimit në arte, derisa sot ndërlidhet me emrin e gruas si burim frymëzimi artistik.