Lajme

Vaji e mielli, produkte shumë të kërkuara edhe në shtetet e BE-së

Vaji i lulediellit dhe mielli kanë mbaruar në supermarketet spanjolle me frikën e një mungese për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Spanja është veçanërisht e varur nga Ukraina për vajin e lulediellit dhe një total prej 62% të kërkesës spanjolle ka ardhur së fundmi nga vendi tashmë i pushtuar, përcjell Albinfo.ch.

”Ne kemi riporositur vajrat e gatimit, por nuk kemi marrë asgjë. Për ditë të tëra jemi me rafte bosh. E njëjta gjë ndodhi edhe me miellin, i cili nuk ndodhet në magazina”, deklaroi një punonjës i një supermarketi në Barcelonë.

Disa supermarkete kanë kufizuar shitjen e vajit të lulediellit në 5 litra për person.

Raftet e makaronave, tërshërës dhe bishtajoreve gjithashtu kishin boshllëqe të mëdha ose ishin pothuajse bosh, transmeton Dpa, përcjell Albinfo.ch.

Spanja prodhon kryesisht vaj ulliri, i cili është më i shtrenjtë, ndërsa klientët shmangin vajin e sojes, i cili është gjithashtu më i lirë, për shkak të skandalit të vajit toksik në vitin 1981.
Organizata e shitësve me shumicë dhe supermarketeve, ”Asedas”, kohët e fundit, theksoi “sjelljen e pazakontë të konsumatorëve” në blerjen e vajit të lulediellit dhe theksoi se furnizimi me vaj gatimi dhe produkte të tjera ushqimore është përgjithësisht i sigurt në Spanjë.

Sipas raporteve të medieve, pengesat mund të ndodhin jo më herët se vera, nëse prodhimi i ardhshëm në Ukrainë dështon.

Shoqatat e fermerëve kanë frikë se ushqimi i bagëtive mund të bëhet i pakët në rast të mungesave afatgjata në importin e misrit, drithërave dhe miellit të farave vajore të importuara nga Ukraina.