Lajme

Ushtria e re e Kosovës do t’i ketë 8 mijë ushtarë

Ekspertët e çështjeve ushtarake dhe të atyre të sigurisë konsiderojnë që këto kapacitete të Forcave të Armatosura të Kosovës do të jenë të mjaftueshme për Kosovën

Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës pritet t’i ketë rreth pesëmijë ushtarë aktivë dhe rreth tremijë rezervë, që do të jenë përafërsisht të njëjtë me shtarët e shteteve në rajon. Kështu deklarojnë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, të cilët premtojnë se shumë shpejt do të nis procesi i transformimit të FSK-së në FAK.

Siç raporton “Zëri” brenda disa javësh, Qeveria e Kosovës do ta procedojë për në Kuvend, Projektligjin për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe pas krijimit të ligjshmërisë do të nisin procedurat për ndërtimin e ushtrisë së re të Kosovës, e cila do të jetë profesionale dhe e gatshme për të garantuar sigurinë e territorit të vendit.

Por, para se të ndodhë transformim përfundimtar, Kuvendi i Kosovës duhet ta ndryshojë edhe Kushtetutën e vendit. Të gjithë këtë proces përfaqësuesit në Prishtinë parashikojnë ta bëjnë brenda kësaj nomenklature.

Ekspertët e çështjeve ushtarake dhe të atyre të sigurisë konsiderojnë që këto kapacitete të Forcave të Armatosura të Kosovës do të jenë të mjaftueshme për Kosovën.

Kryeministri Hashim Thaçi përmes rrjetit social “Facebook” ka thënë se na ndan kohë e shkurtër deri në themelimin e Forcave të Armatosur të Kosovës dhe se këto forca do të jenë të gatshme në sovranitetin e vendit.

“Na ndan një kohë shumë e shkurtër nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës. Kjo është forca e re e cila do t’i ketë kapacitetet e mbrojtjes dhe do ta ketë një mandat të ri, madhësinë dhe strukturën e re. Forcat e Armatosura të Kosovës do të zhvillohen ashtu që të janë të gatshme dhe të afta ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agmi Çeku, ka thënë se fillimi i procedurave të themelimit të Forcave të Armatosura është çështje javësh.

“Fillimi i prokurave varet tani nga kryeministri, besoj që kjo është çështje javësh, ose pak muajsh. Përmbyllja e tërë kësaj çështjeje i merr disa vjet, mirëpo nga momenti i ndryshimit të Kushtetutës ne do t’i kemi Forcat e Armatosura të Kosovës dhe do të kemi mandat të ri”, ka thënë Çeku.

Ai ka sqaruar se Qeveria duhet t’i aprovojë rekomandimet e dala nga Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë, pastaj duhet të miratohen disa ligje të reja dhe të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

Çeku ka thënë se FAK do t’i ketë pesëmijë ushtarë aktivë (5000) dhe tremijë (3000) rezervistë. Sipas tij, kjo do të ketë kosto të përballueshme për buxhetin e vendit.

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe i atyre të sigurisë, Naim Maloku, ka thënë se Forcat e Armatosura të Kosovës duhet të kenë kapacitete të cilat janë konform kapaciteteve të ushtrisë serbe, për shkak se Serbia është i vetmi kërcënim për Kosovën.

Ndërsa eksperti i çështjeve ushtarake, Ramadan Qehaja, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë të ketë artileri të rëndë siç janë tanket, aeroplanët ushtarakë apo armë me rreze të gjatë të veprimit.

“Duke i ditur mundësitë tona ne nuk kemi nevojë por as mundësi të kemi tanke, as nuk duhet të kërkojmë që të kemi artileri me rreze të gjata për shembull sepse doktrinën tonë duhet ta formësojmë në principin e vetëmbrojtjes. Ne duhet patjetër të kemi armatim të këmbësorisë së lehtë e që nënkupton armatim deri në topat 120 mm ose minahedhësit 120 mm, 82 mm, 60 mm dhe të kemi armatim të krahut që e përdor këmbësoria. Këto janë ato që i nevojiten ushtrisë së Kosovës”, ka deklaruar Qehaja.

Ai ka shtuar se FAK-u duhet të ketë helikopterë, sepse i nevojiten për bartjen e ushtarëve nga një vend në një tjetër në kuadër të territorit të vendit. Sipas tij, Kosova është vonuar me ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë.

“Mendoj që jemi vonuar në ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë. Siç e dini edhe me planin e Ahtisarit ka qenë e pritur që në vitin e kaluar të fillojë ngritja e kapaciteteve, mirëpo për shkaqe të ndryshme e kryesisht për shkaqe politike kemi ngecur. Konsiderojmë që kemi ngecje diku përreth një vit e gjysmë”, është shprehur Qehaja