Zhvillim

Universiteti Teknik i Lozanës mbështet studiuesit e rinj kroatë

Ky projekt ambicioz shërben për krijimin e një qendre që do të promovojë ndërtimin e karrierës të profesorëve të rinj kroatë dhe do të ndalojë "rrjedhjen e trurit" (Braindrain)

Sekretari shtetëror për arsim, hulumtime dhe inovacion, Mauro Dell`Ambrogio, i shoqëruar nga presidenti (rektori) i Universitetit Politeknik Federal të Lozanës (EPFL), Patrick Aebischer dhe Martin Vetterli, president i këshillit të studimeve të Fondit Nacional kanë marrë pjesë në manifestimin e organizuar në zagreb me rastin e lansimit të një projekti kooperues në mes të Kroacisë dhe EPFL-së.

Qeveria kroate është përfaqësuar nga zëvendësministri i arsimit, shkencës e sportit, Sasa Zelenika dhe zëvendësministri për zhvillim regjional, Jaksa Puljiz.

Ky projekt ambicioz shërben për krijimin e një qendre që do të promovojë ndërtimin e karrierës të profesorëve të rinj kroatë dhe do të ndalojë “rrjedhjen e trurit (Braindrain), fenomen ky nga i cili janüe prekur shpesh shtetet e reja të Evropës Qendrore dhe Lindore.

EPFL me këtë rast merr detyrën që ta përcjellë tutje dijen e saj të njohur ndërkombëtarisht nga lëmenjtë e rekrutimit dhe zhvillimit të karrierës. Falë kësaj dijeje, ky universitet ia ka dalë që të tërheqë dhe të punësojë talente të reja , duke iu ofruar atyre poste profesorësh me kohë të kufizuar (“Tenure-Track-System”).

Suksesi i këtij sistemi shihet në faktin se një numri të konsiderueshëm të studiuesve të rinj u janë zotuar bursa të Këshillit Evropian për Studime. Kjo iniciativë lidhet me përpjekjet që vazhdojnë prej njëzet vitesh për një bashkëpunim të rritur në mes të institucioneve zvicerane dhe institucioneve partnere nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Kërkesa për financim të këtij projekto, për të cilin partnerët janë në bisedime nga vjeshta e vitit 2013 duhet të bëhet në shtator të këtij viti, në kuadrin e instrumentit “Teaming”. Kjo ka të bëjë si me programet e hulumtimit po ashtu edhe me fondin strukturor të Bashkimit Evropian, thuhet në komunikatën e shërbimit për medie të sekretariatit përkatës federal të Zvicrës.

Projekti i partneritetit të llojit të ri në mes të Kroacisë dhe EPFL-së dëshmon interesat reciprokë për një bashkëpunim shkencor në mes të Zvicrës dhe partnerëve të saj evropianë. Në rastin konkret, një institut zviceran me renome botërore ndihmon një qendër profesionale në Kroaci për hulumtuesit e rinj kroatë me perspektivë, të cilët ende nuk janë lidhur sa duhet në rrjetet ndërkombëtare.