Feja

Vrasjet në Paris, akte të barbarëve

„Nuk mund të jemi indiferentë përderisa sulmet terroriste ndaj civilëve dhe njerëzve të pafajshëm vazhdojnë anembanë botës“, shprehet nënkryetari i Imamëve Shqiptarë të Zvicrës dhe përfaqësues i DIGO-s, Bekim Alimi

Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër dënon ashpër vrasjet e mbrëmshme në Paris. Nënkryetari i këtij unioni, imami i xhamisë së Wilit, Bekim Alimi i quan vrasjet akte të barbarëve.

Për albinfo.ch deklaron Alimi se ky union dënon çdo lloj të aktit të dhunës ndaj shpirtit të pasur që ekziston në një trup e që quhet njeri. Çdo njeri është krijesë e Zotit, është krijesë me vlera të larta dhe nuk guxon të preket, shpreh ai mllefin e tij ndaj dhunës së shfaqur mbrëmë në Paris.

Mes tjerash nënkryetari i Unionit të imamëve dhe njëherësh përfaqësuesi kryesor pas vdekjes së krytearit Sharif Maizar i DIGO-së (organizata çati e shoqatave myslimane të Zvicrës) , shprehet i habitur me atë që ka ndodhur mbrëmë në Paris. ” Zoti e ka ndaluar vrasjen e njeriut për shkak se Zoti thotë unë e kam krijuar njeriun me duart e mia”, deklaron ai. Zoti ka dhënë një përkushtim të veçantë ndaj njeriut dhe çdo lloj njeriu i cili vritet , është sikur të vrasësh tërë njerëzimin citon Alimi pjesë të ajeteve kuranore.

„Se a janë aktorët vrasjeve të mbrëshme myslimanë apo jo, kjo nuk është me rëndësi për ne, deklaron Alimi.

Për ne shqetësuese janë vrasjet e njerëzve që po ndodhin. „Këtu vriten njerëz të pafajshëm dhe ne i dënojmë fuqishëm dhe në qoftë se këta kanë qenë myslimanë, atëherë ne apelojmë e ju themi se në bazë të çfarë ajetesh kuranore veproni kështu, çfarë motivi, kush ua lejon ju një akt të tillë”, ngre zërin imami Bekim Alimi. „Islami nuk e lejon një akt të tillë dhe për këtë ne jemi të mahnitur e të habitur se në çfarë kohe e sa shpejt vriten njerëz të pafajshëm e pa asnjë lloj shkaku.“

Ndaj goditjeve e sulmeve në Paris, ne nuk mund të qëndrojmë indiferentë dhe të qetë, shkruan ai. „Përderisa sulmet terroriste ndaj civilëve dhe njerëzve të pafajshëm vazhdojnë anembanë botës“, shprehet imami i xhamisë së Wilit.

„Sulmet e mbrëmshme në Paris janë barbare dhe jonjerëzore dhe me shumë bindje po ua them se janë joislame. Shpresojmë që pas këtyre sulmeve të mos qëndrojnë myslimanet“, prononcohet në blogun e tij në Facebook, Bekim Alimi.