Feja
Unioni i Imamëve: Nuk jemi në garë se kush është “më i moderuar”
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ) ka reaguar rreth shkrimit të Aargauer Zeitung (AZ), për imamin e Bernës Mustafë Memetin dhe prononcimet e tij rreth burkës, zgjatjes së dorës gjatë përshëndetjes dhe rreth lëndës së notit nëpër shkolla.
Aargauer Zeitung (AZ) thonë UISHZ dëshironte të dinte se në mos ishte imami i Bernës i vetmi zë i moderuar i muslimanëve në Zvicër.
“Ne iu përgjigjëm pyetjeve , mirëpo sot, më 12 tetor, në gazetën AZ nga krejt përgjigjet tona trefaqëshe është cituar vetëm një fjali e jona: “Ne jemi gjithnjë të gatshëm dhe të hapur për t’i shprehur mendimet dhe pozicionet tona lidhur me tema të caktuara.”, thuhet në reagimin e tyre.
“Si duket, përgjigjet tona atij nuk i kanë hyrë në punë dhe nuk i janë dukur interesante, pasi ne nuk e kemi kritikuar dhe nuk e kemi ofenduar imamin nga Berna për supozimet e tij se është zëri i vetëm i moderuar i muslimanëve në Zvicër. Sikur ta kishim bërë këtë, me siguri gazetari do t’i kishte përzgjedhur vetëm kritikat dhe ofendimet tona, kurse mendimet tona lidhur me temat e prekura do t’i kishte lënë anësh, sikur e ka bërë sot. Si duket, ai ka pritur që ne si muslimanë të zhvillojmë një luftë mediatike kundër njëri-tjetrit, se kush është më i moderuar e kush më radikal, me çka do ta ulnim veten në nivelin më të ulët të komunikimit intelektual”, thuhet më tutje në reagim.
Albinfo.ch publikon pyetjet dhe përgjigjet e Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ) dhënë për Aargauer Zeitung (AZ) , ashtu siç janë, pa kurrfarë ndryshimi.
AZ: Mustafa Memeti e mbështet/miraton ndalesën e burkës. Çfarë mendon UAIS për këtë? Çfarë qëndrimi ka UAIS lidhur me këtë çështje?
UISHZ: Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ) parimisht nuk i komenton mendimet e asnjë imami në Zvicër. Ata kanë të drejtë të mendojnë njësoj, ngjashëm ose edhe ndryshe prej nesh për tema të caktuara. Ne e respektojmë lirinë e mendimit.
UISHZ nuk e mbështet bartjen e burkës apo të nikabit dhe nuk e konsideron këtë si kërkesë fetare. Mirëpo ka gra nga mesi i shkollave dhe drejtimeve të tjera juridike islame, si p.sh. shkolla malikite dhe hanbelite, të cilat e bartin burkën ose nikabin për arsye fetare. Po ashtu ka gra nga fetë tjera, të cilat po ashtu për arsye fetare bartin mbulesa të ngjashme me burkën. Në këtë kuptim, UISHZ qëndron pas së drejtës themelore për liri fetare dhe të ndërgjegjes si dhe që kufizimi apo shkurtimi i një të drejte themelore të bëhet ndër të tjera edhe duke e marrë në konsideratë parimin e proporcionalitetit, të gjitha këto të ankoruara në kushtetutën federale. Ne besojmë se kodi i veshjes nuk ka vend në kushtetutë. Përmes kësaj, gratë që edhe ashtu konsiderohen si të izoluara, nuk do të integrohen në shoqërinë zvicerane në mënyrë magjike. Përveç kësaj, nga përvojat e mëhershme lidhur me debatet e këtilla politike, pritet që muslimanët si grup fetar të stigmatizohen dhe të shtyhen në periferi të shoqërisë. Këto përvoja të hidhura na kanë mësuar se masat e këtilla radikale dhe jo-proporcionale mund vetëm ta vështirësojnë integrimin dhe të nxisin prirjen për radikalizimin e të rinjve muslimanë për çka edhe i llogarisim si kundër-produktive.
AZ: M. M. thotë përgjithësisht se ligji (i vendit) vjen përpara traditave fetare, përderisa këto tradita nuk rrjedhin domosdo nga Kur’ani. Për këtë arsye ai thotë që lënda e notit për vajzat muslimane është e detyrueshme dhe se përshëndetja për dore me mësuesit nuk duhet të refuzohet. Si qëndron UISHZ ndaj këtyre çështjeve? Dhe si e shikon UISHZ raportin midis së drejtës së Zvicrës dhe Kur’anit në përgjithësi?
UISHZ: UISHZ nuk e barazon Kur’anin me të drejtën zvicerane. Ato në thelb janë dy gjëra të ndryshme. Kur’ani në radhë të parë është një libër fetar dhe krahasimi mund të bëhet midis dy librave të shenjtë fetarë, midis dy librave të së drejtës dhe p.sh. midis dy librave të kimisë. Mirëpo është i pamundshëm krahasimi midis një libri të shenjtë dhe një libri të kimisë apo të juridikut. Megjithëkëtë, nuk duhet të harrohet fakti se Kur’ani shpreh qëndrimin e vet lidhur me tema të caktuara të shoqërisë dhe se ndonjëherë sjell edhe rregulla. Në Kur’an ka rregulla që vlejnë për gjithë historinë dhe për të gjitha kohërat, siç ka edhe rregulla që kushtëzohen me kohën dhe kulturën. Në një rast kur konfrontohet një rregull i Islamit me të drejtën e një vendi, atëherë shikojmë në mos ekziston ndonjë mundësi interpretimi ose ndonjë alternativë tjetër nga perspektiva brenda-islame për rregullin në fjalë. Në qoftë se nuk gjendet ndonjë mundësi e këtillë, atëherë duhet respektuar e drejta në fuqi e vendit përkatës. Nga kjo perspektivë UISHZ i shikon edhe dy shembujt e sjellë nga ana Juaj, respektivisht lëndën e notit dhe përshëndetjen për dore me mësuesit. Parimisht ne jemi për respektimin e bindjes dhe devotshmërisë fetare të njerëzve. Në qoftë se p.sh. nuk është e mundur një lëndë noti e ndarë sipas gjinisë, çka momentalisht nuk është, atëherë shikojmë në mos ekziston ndonjë kompromis me veshje të caktuara si p.sh. “burkini”. Në qoftë se edhe kjo nuk është e mundur, atëherë ne u rekomandojmë fëmijëve muslimanë, djemve dhe vajzave njësoj, që ta ndjekin lëndën e rregullt të notit. Edhe shtrirjen e dorës gjatë përshëndetjes ne e shikojmë nga i njëjti prizëm… Në kulturën zvicerane përshëndetja për dore konsiderohet para së gjithash si një shenjë respekti dhe jo si një veprim seksist. Si rezultat i kësaj, ne u rekomandojmë nxënësve muslimanë këtu në Zvicër që përshëndetjen për dore ta shikojnë nga ky prizëm dhe të mos e refuzojnë zgjatjen e dorës gjatë përshëndetjes.
AZ: M. M. shprehet shpesh në media si zëri i vetëm i muslimanëve të moderuar, të tjerët më rrallë rastisen në media. Çfarë qëndrimi ka UISHZ lidhur me këtë? A e ndjen veten UISHZ ndonjëherë si të prezantuar gabimisht? Në qoftë se po, atëherë për cilat çështje UISHZ do të kishte pozicione tjera nga ato të Mustafa Memetit?
UISHZ: Këtu nuk e shohim të nevojshme ta shprehim qëndrimin tonë. Ne jemi gjithnjë të gatshëm dhe të hapur për t’i shprehur mendimet dhe pozicionet tona lidhur me tema të caktuara. Në qoftë se një medium nuk na jep hapësirë për këtë, ekzistojnë mediume dhe kanale tjera që mund ta ofrojnë këtë.
AZ: Ekzistojnë akuza nga palë të ndryshme kundër UISHZ-së, se ajo (gjegjësisht shumë anëtarë të saj) në idetë e saj qenkësh shumë më radikale se sa që paraqitet (p.sh. Gazeta Tages Anzeiger “Drehscheibe für salafistische Imame” dhe “Doppelte Agenda”). Kjo paskësh qenë arsyeja e shkëputjes suaj nga Bashkësia Islame Shqiptare. Çfarë thoni Ju për këto akuza?
UISHZ: Ne i refuzojmë kategorikisht këto akuza. Të gjithë imamët shqiptarë në Zvicër janë punësuar sipas bazave të kërkuara juridike. Ata e mësojnë një gjuhë të vendit, ndjekin kurset e ndryshme për integrim dhe nënshkruajnë kontratën për integrim me kantonin gjegjës. Ata e bëjnë me dëshirë këtë. Asnjë imam nuk e refuzon respektimin e normave juridike që janë në fuqi këtu në këtë shtet. Nga vendlindjet e tyre ata e sjellin kulturën e kultivuar ndër shekuj të multi-religjiozitetit, multi-nacionalitetit dhe të multi-kulturalitetit. Veprimtaria e imamëve tanë është transparente dhe e hapur për vëzhgim.
Më tutje, ne si UISHZ nuk jemi shkëputur nga Bashkësia Islame Shqiptare që e përmendët, pasi kurrë nuk kemi qenë nën të njëjtën çati. Bile kjo Bashkësi, me strukturën e tanishme, është rithemeluar dhe ristrukturuar pas themelimit të UISHZ. Ne në vitin 2004 tentuam që, si dy shoqata të ndryshme, të krijonim një organizatë ombrellë për të gjitha xhamitë shqiptare në Zvicër. Mirëpo kjo dështoi për arsye organizative dhe jo për arsye ideologjike. Neve na ndanë shumë pak mënyra dhe forma e kuptimit, e interpretimit dhe e praktikimit të Islamit.
AZ: Sa nga 200.000 shqiptarët që jetojnë në Zvicër i përfaqëson UISHZ? Sa xhami janë të organizuara nën çatinë e UISHZ-së?
UISHZ: Jo të gjithë shqipfolësit në Zvicër janë muslimanë dhe jo të gjithë muslimanët shqiptarë janë anëtarë të xhamive shqiptare. Nën çatinë e UISHZ-së kemi 21 imamë me orar të plotë dhe 8 imamë me orar të kufizuar bashkë me xhamitë e tyre si dhe 10 xhami të tjera që nuk kanë imam të punësuar por të cilat bashkëpunojnë me UISHZ-në. Ka edhe një duzinë xhamish të tjera që veprojnë si të pavarura. Shifra të caktuara rreth anëtarëve të këtyre xhamive nuk kemi. Ka xhami që kanë afro 100 familje anëtare, siç ka xhami edhe me mbi 500 familje anëtare.
Të ngjashme
Të tjera nga Feja
E-Diaspora
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi “Aktualisht presim mbi 15 orë. Pompa e fundit e benzinës ishte e stërmbushur tërësisht”, thotë për...
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
Jeta në Zvicër
-
Që nga janari, sigurimet shëndetësore rriten me 6 për qind Çmimi mesatar i primeve të sigurimit shëndetësor është 378,70 franga në muaj. Për të rriturit, një...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Pronarët e shtëpive të dyta do të përballen me taksa më të larta
-
Hotelet e Bazelit nuk duhet të rrisin shumë çmimin për shkak të Eurovizionit
-
Festivali Federal i Muzikës 2026 do të mbahet në Biel