Lajme

Përfaqësuesit e kompanive nga Gjermania takohen me prodhuesit dhe përpunuesit e drurit nga Kosova

Përmes Unionit të Bizneseve (UB) shqiptare-gjermane në Gjermani, në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunueseve të Drurit të Kosovës (SHPDK), Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), mbështetur nga USAID Kosovo Compete Activity dhe Caritasi Zviceran në Kosovë organizuan eventin B2B dhe panairin “KOSOVA DAY”, në Köln, Gjermani, ku u bashkuan të gjithë përfaqësuesit e kompanive nga Gjermania dhe Kosova.

Unioni i Bizneseve shqiptare – gjermane në Gjermani, me drejtorin ekzekutiv, Fadil Abdullahu, anëtaren e kryesisë, Shkëndije Pacolli, si dhe kryetarin e degës së Unionit në Frankfurt, Ukë Blakaj, vizituan të gjitha shtandet e kompanive anëtare të saj, të cilat ishin pjesë e këtij panairi, po ashtu edhe kompanitë pjesëmarrëse nga Kosova, të cilave iu ofrua përkrahja e shoqatës si një urë lidhëse në mes të Gjermanisë e Kosovës dhe anasjelltas, përcjell albinfo.ch.