Integrimi

Unia për një marrëveshje të re sociale mes Zvicrës dhe Kosovës

"Kosovarët, si të vetmit evropianë juglindorë, janë të privuar padrejtësisht nga e drejta për të zgjedhur vendin ku do të kalojnë moshën e pensionit të merituar të pleqërisë"

Të shtunën më 21 shtator 2013 në Bernë të Zvicrës më se 15’000 sindikalistë në demonstratën e organizuar nga Unioni i Sindikatave Zvicerane kërkuan mbrojtje nga dumpingu në paga dhe mbrojtje nga vjedhja e pensioneve. Në këtë demonstratë shqiptarët morën pjesë me flamuj kombëtarë e shtetërorë, ku përmes transparenteve në gjermanisht dhe frëngjisht si dhe me një fjalim rasti vunë në pah diskriminimin që po iu bëhet shtetasve të Republikës së Kosovës përkitazi me pensionet e tyre të Zvicrës .  

Para protestuesve të tubuar në sheshin federal të Zvicrës me  fjalë të rastit u drejtuan udhëheqësit sindikalistë dhe organizatorët e demonstratës. Me këtë rast u mbajt edhe një fjalë rasti në gjuhën shqipe. Theksi i këtij fjalimi vihej në problemin e njohur me pensionet e kosovarëve që kanë punuar në Zvicër gjegjësisht në anulimin e njëanshëm të marrëveshjes për sigurime sociale nga Zvicra në raport me Kosovën.

“Vetëvendosje për vendin e kalimit të moshës së pleqërisë”, kërkoi folësi duke nënkuptuar kërkesën që marrëveshja e sigurimeve sociale të vlejë edhe për kosovarët që vendosin të kthehen në Kosovë. “Edhe përkundër kësaj, shtetasit e Kosovës, ka më se tri vite që përballen me një situatë të veçantë diskriminimi. Ata, si të vetmit evropianë juglindorë, janë të privuar padrejtësisht nga e drejta për të zgjedhur vendin ku do të kalojnë moshën e pensionit të merituar të pleqërisë, dhe kushtimisht janë të detyruar të ruajnë vendbanimin në Zvicër. Mirëpo, e drejta e vendbanimit është e ndërlidhur me lejen e qëndrimit, e cila për arsye të përkeqësimeve në ligjin për të huajt mund të humbet, qoftë edhe për shkak të marrjes të ndihmës së konsiderueshme sociale.

Qeveria dhe zyrtarët e shtetit të Kosovës, mjerisht nuk ishin të aftë të garantonin zbatimin e mëtejmë të Marrëveshjes për pensione. Për më keq, ata në këtë situatë nënshkruan Marrëveshjen për Riatdhesim, që d.m.th. kthim të pavullnetshëm apo edhe të dhunshëm në vendin amë. Kjo situatë shumëkënd e bënë të jetojë në pasiguri e në ankth, e bënë më të keqtrajtuar e më të shfrytëzueshëm, si në tregun e punës ashtu edhe përgjithësisht në jetë. E keqja nuk përfundon me kaq, pasi me humbjen e lejes së qëndrimit, kthimit apo dëbimit në atdhe – në mungesë pra të zbatimit të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore – humbin edhe pensionet e merituara me shumë mund e djersë”, u tha me këtë rast

Dy qeverive iu kërkua që pa zvarritje të negociojnë një Marrëveshjeje të re ..Kjo situatë është e padurueshme, andaj kërkojmë me këmbëngulje nga dy qeveritë e vendeve tona, që sa më shpejtë dhe pa zvarritje të negociojnë një Marrëveshje të re, e cila do të mundësonte edhe për shtetasit e Kosovës vetëvendosjen se ku duan të kalojnë moshën e pensionit të tyre!  

 

 Osman Osmani