Tematike

Unia: “Me marrëveshjen e re morën fund tetë vite diskriminim”

"Më ketë vendim merr fund diskriminimi 8 vjeçar e shtetasve të Kosovës, të cilët në mënyrë të rregullt kanë paguar kontributet e tyre në sigurimet shoqërore të Zvicrës. Sindikata Unia kërkon nga Qeveria Federale të zbatojë masat e përshtatshme, për të baraspeshuar humbjet e shkaktuara për kohën e mungesës të zbatimit të Marrëveshjes"

Në një komunikatë të saj të  dërguar medieve, sindikata më e madhe zvicerane Unia ka përshëndetur miratimin që sot i ka bërë Qeveria e Zvicrës marrëveshjes së re për Sigurimet Shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës. Siç dihet, kjo sindikatë dhe në veçanti funksionarët dhe aktivistët e saj shqiptarë, kanë dhënë kontribut shumë të rëndësishëm për sensibilizimin rreth kësaj çështjeje dhe pastaj për shtyrjen përpara të arritjes së marrëveshjes në fjalë.

“Në mbledhjen e sotme qeveria federale e Zvicrës aprovoi Marrëveshjen e re për Sigurimet Shoqërore me Zvicrën.  Më ketë vendim merr fund diskriminimi 8 vjeçar e shtetasve të Kosovës, të cilët në mënyrë të rregullt kanë paguar kontributet e tyre në sigurimet shoqërore të Zvicrës. Sindikata Unia kërkon nga Qeveria Federale të zbatojë masat e përshtatshme, për të baraspeshuar humbjet e shkaktuara për kohën e mungesës të zbatimit të Marrëveshjes, thuhet në fillim të komunikatës së Unia-s.

Nga presioni i shumicës së djathtë në Parlament, Qeveria Federale në prill të vitit 2010 anuloi Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Zvicrën. Ky vendim krijoi pasiguri shkatërruese për mijëra pensionistë nga Kosova, edhe përkundër të drejtës për të marrë pension nga Zvicra, thuhet më tutje në komunkatë. Por, “Sindikata Unia u angazhua fuqishëm për t`i dhënë fund këtij diskriminimi. Presioni që ushtroi Unia tregoi ndikim: me aprovimin e Marrëveshjes së rinegociuar, të gjithë të punësuarit nga Kosova në Zvicër janë të barazuar, pavarësisht se a marrin pensionin e tyre në Zvicër apo jashtë saj, pra edhe në vendin amë. Synimi që në fushën e Sigurimeve Shoqërore të diskriminojë njëanshëm një popullatë të tërë vetëm për shkak të prejardhjes së tyre mori fund”, thuhet mes tjerash në komunikatën e sindikatës Unia.

Por, “çmimi i këtij diskriminimi ishte i lartë. Shumë përfitueseve iu është refuzuar pagesa e pensioneve të sigurimeve shoqërore në Kosovë. Edhe me Marrëveshjen e re nuk është bërë e qartë përfundimisht se si mund të fitohet e drejta retroaktive. Unia kërkon nga Qeveria Federale që të zbatojë masa të përshtatshme, për të baraspeshuar humbjet e shkaktuara në periudhën e kaluar nga shkaku i mungesës së zbatimit të marrëveshjes. Është e papranueshme  që njerëzve tu mohohet e drejta e përfitimit në pension dhe që atyre tu shkaktohet krizë ekzistenciale.

Unia kërkon ratifikim të shpejtë

Me adoptimin e sotëm dhe nënshkrimin e planifikuar në qershor me Qeverinë e Kosovës, Qeveria Federale hap rrugë të përparojë ratifikimin në Parlament. Unia kërkon nga Parlamenti që të përshpejtojë ratifikimin. Pasi vetëm kështu mund të përfundojë ky diskriminim i pa përballueshëm.