Opinione
Unë dhe samiti i Diasporës
Data 18.11.2016. Jam duke ecur nga lagjja e “Kodrës së Diellit” në drejtim të stacionit të autobusëve të Prishtinës me destinacion Tiranën, për të marrë pjesë në samitin e parë të diasporës shqiptare dhe nuk është vetëm moti i mirë që më shoqëron në ketë rrugëtim…
Hapat e mi në rrugët e Prishtinës ngacmojnë kujtime, kujtime që lidhen me rrugëtimin e parë në Shqipëri … Ishte 2 shtatori 1992 kur u nisa me Metin, babain tim, dhe me bacin Behram Hotin, të cilët më shoqëruan në Preshevë dhe nga ku, pastaj kaluam kufirin serbo-maqedonas me ndihmën e një të njohuri dhe pas disa orëve mbërrimë në Strugë dhe në kufirin shqiptaro- shqiptar më gjetën një ndërmjetës për të më ndihmuar të kaloja këtë kufi. Ndërmjetësi im më njoftoi me shpejtësi me një djalë nga Shqipëria, përkatësisht nga Prrenjasi, qytezë afër kufirit. Rruga nuk ishte e lehtë, sidomos ngase përveç frikës nga forcat maqedonase, në kokë kisha ngulitur fjalët e ndërmjetësuesit që më tha: “Ke kujdes se ky djali nga Shqipëria mendon se ke shumë para dhe mund ta fusë një thikë në shpinë…”
Duke u ngjitur malit, pra, më duhej të kujdesesha e të kisha frikë më shumë nga djali nga Shqipëria që quhej IliR Q. se nga kufitarët maqedonas… Çfarë ironie… Ashtu në malin me lisa të lartë, Iliri më tha duke përshpëritur: “Ke kujdes ku e hedh këmbën se nga zhurma e degëve të thata na dëgjojnë ushtarët maqedonas”, të cilët ia kishin plagosur vëllain, po në këtë mal. I thashë që gëzohem që ke emrin Ilir se ky emër na ka dhënë forcë gjithmonë neve shqiptarëve… Iliri më shikoi ndrojtur… Po filloi të flasë më shumë dhe kur filloi të flasë më shumë, e mora vesh që jemi futur në tokën shqiptare, të çliruar, e që quhet Shqipëri …
Iliri, duke më parë që përqafova tokën shqiptare, filloi të më flasë për jetën e tij dhe pas një bisede të shkurtër, më tregoi se çfarë i kishte thënë atij ndërmjetësuesi. Atij i kishte thënë të njëjtat fjalë, pra, i kishte thënë: “Ruaju nga ky djalë nga Kosova, se lekët që t’i ka dhënë, do t’i marrë prapë, se qenka i gjatë dhe mund të të rrahë sapo të kaloni kufirin …”
Ec rrugës dhe kaloj afër shkollës sime fillore që tani ka emrin “Ismail Qemaili”, kurse kur isha unë në këtë shkollë mbante emrin “Josip Broz Tito” … Prapë më ngacmojnë kujtimet që lidhen me rrugëtimet e mia në Shqipëri… Isha vendosur në qytetin Studenti të Tiranës, në dhomë me Përparim Mulosmanin dhe në dhomën fqinje me Agron Tafajn, të cilët gjatë gjithë viteve të mia të studimeve dhe të jetës sime në Tiranë mbetën shokë që ndamë gëzimet dhe rreziqet e rinisë. Përparimi jeton në Amerikë, kurse Agroni në Itali…
Përparimi nuk shkonte në vendlindje, në Bujanë të Tropojës dhe i duronte fjalët e mia morale, duke e pyetur vazhdimisht për arsyen që nuk shkonte në vendlindje… Këto pyetje sikur ishin një formë për mua për të gjetur ngushëllimin që nuk kisha mundësi të kthehesha në Prishtinë … dhe Përparimi duke mos dashur të më linte vetëm të pritja Vitin e Ri të parë në Tiranë dhe larg familjes, më tha që do të shkojmë bashkë… Rruga ishte aq e zorshme dhe e ftoftë sa që trageti pa xhama e bënte rrugën edhe më të vështirë dhe pas disa orëve mbërritëm në Bujanë, ku mirëpritja me familjen e Përparimit nuk harrohen dot dhe më shoqëron ende…
Për kthim në Tiranë, po të mos ishte Përparimi dëshmitar, nuk do kisha guxuar të shkruaja se rrugën nga Komani deri te Vau i Dejës e bëmë në këmbë më 6 janar 1993, duke marrë guximin të ndalemi në fshatin Karm në orën 3 të mëngjesit e duke kërkuar ndihmë në një shtëpi, ku i zoti i shtëpisë që quhej Nikollë, i cili na futi brenda dhe na ushqeu … Tani rishtas kam marrë vesh që kemi bërë rrugë afro 35 km ….Mbërrimë në Tiranë …Unë për t’u paraqitur në Fakultetin Juridik, ku isha në fazën e regjistrimit, kurse Përparimi për t’u paraqitur për një provim… që nga ky udhëtim nuk e kam pyetur më Përparimin pse nuk shkonte më shpesh në Tropojë…
Duke mu shfaqur këto kujtime të rrugës nga Tropoja në Tiranë, nuk e paskam vërejtur që kisha mbërritur te Shkolla e Mesme e Mjekësisë, te rrethi i madh në hyrje të Prishtinës nga ana e Ferizajt…dhe eci e prapë më kujtohet rruga që kam bërë nga Tirana për Kukës në verën e 1996-ës, ku unë shoqëroja shokun tim tiranas, Elvis Berisha, që kishte marrë përsipër të shoqëronte një shofer gjerman që kishte sjellë ndihma humanitare me kamionin e tij “Iveko”.
Rruga për Kukës pati mundësi të ndërpritet sapo shoferi i kamionit filloi të gjarpëronte rrugët e veriut … Nuk kishte guxim të vazhdonte dhe me anglishten e tij të cekët na tregoi që kishte frikë të ngiste në këto rrugë, që për të nuk ishin rrugë, po Elvisi që edhe tani është profesionist i ngasjes dhe nuk është e rastësishme që ka krijuar kompani të transportit në Filadelfi në Amerikë, i tha shoferit gjerman t’i linte vendin dhe vazhduam rrugën…
I afrohem stacionit të autobusëve, ku gumëzhijnë llojet e ndryshme të makinave nën urën dhe mbi urën e ndërtuar rishtazi… Kjo zhurmë më bën të kujtoj qetësinë vrasëse të dhjetorit të vitit 1996… Kujtoj saktësisht 26 dhjetorin kur nga Tirana u nisa për të pritur Vitin e Ri në Prishtinë, pas katër vjetëve qëndrim në Tiranë dhe pa mundësi të kthehem. Rruga nga Tirana për Prishtinë ishte rrugë që mora me shokët e mi nga Prishtina, Islam Krasniqin – Kolën dhe Burhan Hadrin. Kola na ndihmoi të fshehim pasaportat shqiptare te një i afërt i tij në një fshat shqiptar në Malin e Zi. Kola shkoi te e fejuara e tij në Ulqin, kurse unë me Burhanin vazhduam rrugën me një autobus.
Llogaritjet që kishim bërë të arrrijmë në Prishtinë rreth orës 3 pasdite dështuan, ngase kundër llogaritjeve tona ishte autobusi që çdo 10 minuta kishte defekte dhe pas ndaljeve dhe kontrolleve të shpeshta të policëve serbë, që në një rast na lanë të presim jashtë pa të drejtë të marrim jaknet (xhupat). Po ftoftësia shpejt u harrua kur policët serbë filluan t’i godasin të rinjtë që nuk dinin të përgjigjeshin në gjuhën serbe… Me Burhanin bartëm frikën deri në Prishtinë. Në Prishtinë arritëm në orët e vona në stacionin e autobusëve të Prishtinës dhe për të shkuar në lagjen tone, në “Kodër të Diellit”, u ndamë për të mos u rënë në sy punkteve serbe. Aleatë në rrugën për lagjen tonë kësaj radhe ishte mjegulla e Prishtinës… Burhani dhe Kola janë doktorë të shquar në Prishtinë…
Është ora 12, 13 e 18 nëntorit, dhe pas shumë kujtimeve, arrita në stacion të autobusëve dhe bisedoj me shoferin e minibusit që mban relacionin Tiranë – Prishtinë dhe anasjelltas. Dhe, kënaqësia është shumë e madhe kur shoh që këtë linjë e mban agjencia e Tiranës me shoferë nga Tirana. Për në Tiranë ishte rrugë që nuk u ngacmua nga kujtime të vjetra, po nga kënaqësia e rrugës për të shijuar autostradën dhe pamjet e bukura që më shfaqeshin gjithandej.
Arrij në Tiranë dhe ka kohë që nuk kam shijuar ecjen në Tiranën time… Marr pjesë në ceronominë e hapjes së samitit dhe pothuajse me çdo pjesëmarrës që bisedoja, temë e bisedës ishin hapat që duhet marrë për lidhjen edhe më të madhe të diasporës me trojet shqiptare. U theksua në këto biseda që ka kaluar koha që mërgata të shikohet vetëm nga prizimi i një monedhe shkëmbimi, por ka ardhur koha që diaspora të shikohet si pjesë e thesarit kombëtar.
Mëngjesi i datës 19 nëntor filloi shumë herët. Igli Tashi, shoku nga Tirana, me banim në Lozanë, kishte ardhur nga Zvicra dhe së bashku me vëllain e tij shkuam në tarracën mbrapa Muzeut Kombëtar. Dielli rrezonte dhe shija e pijeve kishte ëmbëlsi edhe më të madhe se biseda jonë kishte të bënte me problemet e diasporës dhe jo mbijetesa e kombit tonë, tema që kemi prekur me orë të tëra gjatë luftës në Kosovë… Në tavolinë ishim ulur Igli Tashi, i doktoruar në Universitetin e Lozanës, me vëllain Renisin nga Tirana, Bashkim Iseni, nga Shkupi, banues në Lozanë, drejtor i Albinfo.ch, vëllai im, Dritoni, drejtor i www.iseal.ch dhe unë …
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?