Lajme

Ultimatum qeverisë nga protesta masive që përshkallëzon me dhunë

Albin Kurti i ka dhënë kryeministrit Isa Mustafa afat deri të hënën në orën 16.00 për të shkarkuar ministrin Aleksandar Jabllanoviq.

Siç ishte paralajmëruar, sot rreth orës 14 ka filluar protesta për shkarkimin e ministrit Jabllanoviq dhe në mbrojtje të Trepçës. Organizatore e protestës ka qenë lëvizja Vetëvendosje dhe “Thirrjet e nënave” ndërsa asaj i janë bashkuar edhe partitë tjera opozitare dhe OJQ të ndryshme.

Mijëra protestuesve të tubuar afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës u ka folur lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Ai i ka dhënë kryeministrit Isa Mustafa afat deri të hënën në orden 16.00  për të shkarkuar ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq.

Kurti po ashtu ka paralajmëruar edhe një protestë tjetër të martën më 27 janar, po në qendër të Prishtinës .

Protestuesit që kanë qenë me mijëra, kanë skanduar thirrjet si “Trepça është e jona”, “Jabllanoviq jashtë” etj. Kjo protestë fillimisht ishte thirrur nga shoqata “Thirrjet e Nënave” dhe Lëvizja Vetëvendosje. Por, ajo po mbështetet edhe nga partitë tjera opozitare dhe organizata të ndryshme.

Qytetarët e ardhur nga të gjitha viset e Kosovës, u mblodhën fillimisht tek Biblioteka Kombëtare për të vazhduar më pas marshin para ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Qytetarëve të tubuar, fillimisht u është drejtuar Nesrete Kumnova, nga shoqata Thirrjet e Nënave. Ajo tha se kjo protestë po e kundërshton fashizmin e Serbisë, e cila la mijëra të vrarë e të pagjetur, mbi 20 mijë femra të dhunuara dhe tani po i fyen nënat e dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Fjalimi i Kumnovës u ndërpre disa herë me brohoritjet “Jashtë”, të cilat i drejtoheshin ministrit serb, Jabllanoviq dhe ministrave tjerë të Listës Serbe, subjekt ky politik i krijuar nga Beogradi por që përfaqëson serbët e Kosovës në institucione.

Më pas, protestuesve u është drejtuar edhe lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti. Sipas tij, protesta do të ishte edhe më masive, sikur policia e Kosovës të mos i bllokonte shumë autobus që të vinin nga qytete tjera për në Prishtinë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Ai tha se kjo qeveri i ka ditët e numëruara pasi që nuk ka dalë në mbrojtje të interesave të shtetit dhe qytetarëve të saj.

Protesta, sipas organizatorëve ka për qëllim nxjerrjen e Ligjit për Trepçën dhe shpalljen e këtij kombinati ndërmarrje publike.

Çështja e Trepçës, që llogaritet si një prej gjigantëve të zhvillimit ekonomik të Kosovës, është nxitur pas deklaratave të zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë për të inicuar bisedime me Prishtinën në dialogun politik në Bruksel.

Thirrjet e vazhdueshme të protestuesve janë që Trepça është pasuri e Kosovës dhe askujt tjetër. Po ashtu, protestuesit kërkojnë edhe shkarkimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, i cili i ka quajtur “egërsira” nënat protestuese në Gjakovë.

Policia e Kosovës, në anën tjetër përmes një komunikate, ka thënë se është e gatshme për të garantuar sigurinë publike gjatë kësaj proteste e cila thuhet se nuk ishte paralajmëruar tek organet e rendit.

Përderisa protesta po zhvillohet, përveç numrit të madh të policisë, po vërehet edhe një helikopter duke fluturuar mbi zonën ku janë tubuar qytetarët.

Gjatë kohës sa mbaheshin fjalimet, por edhe pas përfundimit të protestës, një grup i protestuesve ka hedhur gurë në drejtim të ndërtesës së qeverisë, ku shihen dritare me xhama të thyer. Raportohet për thyerje të dritareve të ndërtesës së qeverisë. Në përfundim të protestës një grup huliganësh pjesërisht  me ftra të maskuara kishin intensifikuar gjuajtjet me gurë, ka ndërhyrë edhe policia speciale.