Lajme

Ulet besimi për qeverinë, më së shumti “dënohet” ministri Maurer

Përqindja e atyre që nuk i beson qeverisë ka shënuar rritje: Ajo tani është 33 për qind ndërsa në korrik të këtij viti ishte vetëm 26 për qind

Monitori i 9-të i Koronës, i realizuar nga transmetuesi publik zviceran SRG, tregon se
përqindja e qytetarëve që kanë besim të madh në Këshillin Federal kur bëhet fjalë për politikën e pandemisë është po aq i madh sa ishte në verë, raporton watson.ch.

Megjithatë, përqindja e atyre që nuk i beson atij ka shënuar një rritje: Ajo tani është 33 për qind ndërsa në korrik të këtij viti ishte vetëm 26 për qind, transmeton albinfo.ch. Mosbesimi ndaj qeverisë është më i madh tek brezi i ri ndërsa mbi 65-vjeçarët mbeten besnikë ndaj qeverisë së shtetit.

Ministri Ueli Maurer dënohet nga të anketuarit

Ministri i Financave Ueli Maurer ka marrë një notë të ulët (3.3) nga pjesëmarrësit në anketë.

Shumica e anëtarëve të Këshillit Federal po ndahen gjithnjë e më keq kur bëhet fjalë për vlerësimin e dhënë nga popullsia. Te Ministri i Financave, Ueli Maurer (SVP) ky përkeqësim është shprehur më së shumti. Ai kishte marrë notën 3.8 nga monitori i zhvilluar në verë, ndërsa tani merr vetëm 3.3.

Maurer është përfolur kohë të gjatë për qëndrimin e tij indiferent dhe në raste, mosbesues ndaj masave të qeverisë ku ai bën pjesë, ndaj koronavirusit. Së fundi ai ka pasur deklarime kundërthënëse pas paraqitjes së tij në publik me këmishën karakteristike të kundërshtarëve të masave të koronës.

Ministri i Shëndetësisë Alain Berset është ende në gjendje më të mirë, ndonëse edhe nota e tij ka pësuar një përkeqësim: nga 4.2 sa ishte në korrik ka rënë në 4.1 tani.

Presidenti federal Guy Parmelin mbetet i qëndrueshëm tek nota e pamjaftueshme nga populli, 3.7.

Ministri i Jashtëm Ignazio Cassis, me gjithë një ngritje të vogël, mbetet në fund të listës, me 3.1 (ishte 3.0 në korrik), përcjell albinfo.ch. Në të njëjtën kohë 33 për qind e të anketuarve në nivel të Zvicrës nuk kishin asnjë mendim për të, që është grupi më i madh në krahasim me ato të këshilltarëve të tjerë  federalë.