Lajme

Ulja e ndotjes nga karantina shpëtoi 800 jetë në 47 qytete

Më shumë se 800 vdekje u shmangën falë përmirësimit të cilësisë së ajrit gjatë karantinës së plotë në Europë, thotë Shërbimi i Klimës për Bashkimin Evropian, Koperniku.

Nga krahasimi i ekspozimit ndaj ajrit të ndotur mes shkurtit dhe korrikut 2020 në 47 qytete të mëdha evropiane, studiuesit arritën në përfundimin se masat e ndërmarra nga qeveritë e vendeve evropiane për të kufizuar përhapjen e COVID-19 mbrojtën njerëzit nga ndotja vdekjeprurëse.

Studimi zbuloi se mbyllja e shkollave, puna nga shtëpia dhe anulimi i aktiviteteve pati një ndikim të madh në nivelin e dioksidit të azotit (NO2), një gaz i dëmshëm i prodhuar kryesisht nga makinat.

Dioksidi i azotit shihet si shkaktar i disa sëmundjeve respiratore dhe problemeve në zemër, sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit dhe është përgjegjës për 50 mijë vdekje të parakohshme në Bashkimin Evropianë çdo vit.

Sipas studimit, qytete në Francë, Spanjë dhe Itali patën një rënie me 50-60 për qind të gazit të dëmshëm gjatë kësaj periudhe. Parisi, Londra, Barcelona, Milano ishin mes qyteteve që shmangën më shumë vdekje, sipas të dhënave zyrtare të këtyre vendeve.