Kriza në Ukrainë

Ukraina dorëzon përgjigjet për anëtarësim në BE

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky dorëzoi dokumentin me përgjigjet e pyetësorit për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Lajmi u publikua nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Ukrainë, Matti Maasikas. Ai tha se ishte i nderuar që mori nga presidenti Zelensky përgjigjet e pyetësorit të Komisionit Evropian.

“Një tjetër hap në rrugën e Kievit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Maasikas përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa ndau fotot ku Zelenski i dorëzonte dokumentin.

Komisioni Evropian do të shqyrtojë përgjigjet e dhëna në pyetësor dhe do të nxjerrë një opinion nëse Ukrainës duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Më pas, do t’u mbetet liderëve të 27 shteteve anëtare që të miratojnë statusin e Ukrainës si vend kandidat përpara se të kalojë në fazën tjetër, në të cilën Kievit do t’i duhet të harmonizojë proceset e tij sociale, ligjore, administrative dhe financiare me atë të BE-së.