Futboll

Ujkani dhe Zhegrova, optimistë para dy ndeshjeve miqësore

Edon Zhegrova, lojtari që së fundmi i është bashkuar Kosovës, thotë se ka gjetur një ekip që është i koordinuar mirë dhe se pret që në dy ndeshjet e radhës do të luajnë një lojë të mirë

Kosova ka mbajtur në Francë stërvitjet e para nën udhëheqjen e selektorit Bernard Challandes, në prag të ndeshjeve miqësore me Madagaskarin dhe Burkina Fason.

Ekipi ka shfaqur një formë shumë të mirë gjatë stërvitjes dhe një frymë bashkëpunimi e optimizmi, përcjell albinfo.ch.

Kapiteni Samir Ujkani ka deklaruar se përvoja e deritashme gjatë kualifikimeve e ka rritur dhe e ka pjekur ekipin dhe se kjo është vënë re edhe sot gjatë stërvitjeve. Lojtarët me lehtësi kanë ndjekur udhëzimet e trajnerit dhe kanë aplikuar teknikat e kërkuara nga ai dhe kjo, thotë Ujkani, vjen si rezultat i njohjes së lojtarëve me njëri-tjetrin dhe përvojës tashmë të përbashkët si pjesë e Kosovës. Ujkani thotë se, pavarësisht faktit se do të luajnë ndeshje miqësore, do të jenë shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm gjatë ndeshjes.

Edon Zhegrova, lojtari që së fundmi i është bashkuar Kosovës, thotë se ka gjetur një ekip që është i koordinuar mirë dhe se pret që në dy ndeshjet e radhës do të luajnë një lojë të mirë. “E kam thënë menjëherë që Kosova është ekipi pjesë e të cilit do të jem. Nuk është se e njoh shumë mirë lojën e dy ekipeve kundër të cilave do të luajmë, por duhet të jemi shumë të vëmendshëm gjatë gjithë ndeshjes. Jam optimist se do të luajmë një lojë shumë të mirë”, deklaroi Zhegrova.