Bota

Udhëtimi nëpër histori, në Muzeun e Arit

Një numër i madh i turistëve vendës dhe të huaj vizitojnë Muzeun e Arit në kryeqytetin kolumbian, Bogota. Ata kanë mundësi të udhëtojnë në “historinë e artë” të këtij vendi.

Në Muzeun e Arit, i themeluar në vitin 1939, gjenden koleksione të mëdha të ekspozitave të arit që datojnë nga koha para Kolombos, përcjell albinfo.ch.

Shumë prej tyre u përkisnin fiseve Inka dhe Maja. Muzeu është unik në botë dhe nevojiten të paktën katër orë për ta vizituar. Muzeu vizitohet nga rreth gjysmë milioni turistë në vit. Ai ndodhet në pjesën historike të Bogotas.

Aty janë ekspozuar maska, armë si dhe ekzemplarë nga druri, margaritarë, qeramika dhe eshtra. Në muzeun, i cili shtrihet në disa kate, vëmendjen tërheq edhe mumia e një vajze të re që u vra në moshën 14-vjeçare.

Ana Maria Gonzales Galvis, e cila punon në këtë muze, tha se muzeu përshkruan historinë e atij vendi. Qëllimi është që t’u tregohet vizitorëve ari, i cili simbolizonte fuqinë e qytetërimit në kontinent.