Lajme

Udhëtarët e Gjenevës paralajmërohen për mashtrimin me bileta të transportit publik

Një faqe mashtruese në Facebook, gjoja një llogari që i përket kompanisë së transportit publik të Gjenevës (TPG), ofron abonime të rreme vjetore për 2.35 franga.

Kostoja ‘reale’ e një abonimi vjetor në rrjetin TPG Unireso kushton 500 franga për të rriturit dhe 400 franga për pensionistët dhe të rinjtë.

Pra, një ofertë që është qindra franga më e lirë është pa dyshim shumë tërheqëse për ata që nuk kanë dëgjuar kurrë për një fjalë të urtë të vjetër: “Nëse është shumë e mirë për të qenë e vërtetë, ndoshta nuk është”.

Faqja mashtruese në Facebook, me një logo të TPG me pamje shumë realiste, ofron, si një promovim të veçantë, një kartë udhëtimi vjetore për vetëm 2,35 franga. Profilet e rreme kanë shkruar komente pozitive nën ofertë, përcjell albinfo.ch.

Për të përfituar nga ‘dita e fundit’ e kësaj oferte të jashtëzakonshme, klientët duhet të klikojnë në një lidhje, e cila nuk të çon në adresën zyrtare ‘tpg.ch’, por në një faqe të jashtme, me një domen ‘com’ në vend të ‘ch’.

Pasi në këtë faqe klienti ende i paditur mëson se vetëm 500 nga kartat e “ofertës speciale” mbeten të disponueshme, kështu që ato duhet të blihen shpejt, raporton thelocal.

Por, pasi janë në faqen e pagesës, ata lexojnë se ky është një anëtarësim provues tremujor për 3 franga (jo 2,35, por ende në mënyrë të dyshimtë të lirë), dhe se nëse “anëtarësimi” nuk anulohet deri atëherë, do të tarifohen 71 franga çdo 14 ditë.

TPG nuk ka ndonjë shifër se sa viktima ranë pre e këtij mashtrimi, por zëdhënësi i kompanisë, François Mutter, tha se 134 klientë “na kanë kontaktuar për të pyetur në lidhje me këtë ofertë”.

Kush qëndron pas këtij mashtrimi?

Nuk dihet, por serveri i faqes është i bazuar në Shën Petersburg, Rusi, tha Mutter, duke shtuar se TPG ka informuar hostin si dhe Zyrën Federale për Krimet Kibernetike.

Por, mashtrimi vazhdon ende, dhe në një shkallë më të madhe se sa vetëm në Gjenevë. Sipas Mutter, po qarkullojnë edhe versionet belge dhe franceze.

Policia e Gjenevës i tha platformës së lajmeve 20minuten se qëllimi kryesor i këtij mashtrimi (si shumë të tjerë) është të marrë informacione konfidenciale bankare nga viktimat e tyre.

Mbyllja e faqes mund të kërkohet nga hosti, “por efekti është shpesh i përkohshëm. Do të shfaqen faqe të reja”.

Të paktën në teori, Zyra e Prokurorit Publik mund të hapë procedime kundër kriminelëve dhe të punojë me autoritetet lokale për të gjurmuar autorët – megjithatë, vetëm nëse faqet janë të vendosura në vende ku ekziston bashkëpunimi ndërkombëtar në këto çështje.

Fatkeqësisht, ky mashtrim i veçantë është vetëm maja e ajsbergut. Të tjera të panumërta janë kryer në Zvicër në vitet e kaluara dhe ende janë duke vazhduar aktualisht.

Këshilla më e dukshme është përdorimi i sensit të përbashkët.

Megjithatë, mund të mos jetë gjithmonë e lehtë të dallosh mashtruesit, sepse shumë emaile duken sikur vijnë nga burime zyrtare, si qeveria ose policia, por asnjëra nuk do t’ju kontaktonte me email dhe do t’ju kërcënonte me pasoja të tmerrshme nëse nuk paguani.

Nëse nuk jeni të sigurt për legjitimitetin e emailit ose mesazhit me pamje “zyrtare”, telefononi gjithmonë dërguesin e supozuar për të kontrolluar.

E rëndësishme është që të fshini menjëherë çdo email të dyshimtë dhe të bllokoni dërguesin që të mos ju kontaktojë përsëri.

Gjithashtu, jini vigjilentë në lidhje me zbulimin e informacionit tuaj personal dhe të të dhënave financiare telefonuesve të panjohur ose individëve që shfaqen në pragun tuaj.