Botë
Udhëpërshkrime: Venecie, Verona, Zara…
Në serinë e planifikuar të vizitave vendeve të ndryshme evropiane, disa nga qytetet kroate dhe
italiane i kisha fokusuar si objektiva të parë të këtij udhëtimi. Venecie ishte pika e preferuar e
ndalesës nga Trieste, ku hymë nga Sllovenia, më 1 nëntor 2024, nëpër një mot me diell dhe
shumë të përshtatshëm për udhëtim. Udhëtimi nga Trieste deri në Venecie autostradës zgjati më
pak se dy orë dhe një ndjenjë e veçantë ishte hyrja në qytet. Pasi e parkuam veturën, për rreth tri
orë e shëtitëm “qytetin lundrues”, siç quhet ndryshe Venecie, apo edhe “mbretëresha e
Adriatikut”, por edhe “qytet i urave”, i dashurive dhe psherëtimave, që nga historia e hershme e
“dashnorëve të Venedikut”…
Ajo që të bie veçanërisht në sy është arkitektura e veçantë e qytetit që të krijon një tablo
mahnitëse: kanale ujore në të gjitha drejtimet, ngado që të shikoje nga pika hyrëse e qytetit, nga
ura e drunjtë, që të krijonin përshtypjen se vërtet ky qytet lundron mbi ujë!
Urat gjithanej mbi këto kanale e bëjnë qytetin meritor që të mbajë epitetin “romantik”: ngado ta kthesh vrojtimin,
kanale ujore me ura ndërlidhëse mbi to, me platforma përcjellëse funksionale dhe me lokale
kafenesh, ku shërbimi ishte në nivel dhe çmimet jo shumë mbi ato të zakonshme në Itali.
Një atmosferë mbresëlënëse dhe krejt të veçantë krijonin anijet e shumta lundruese me plot
vizitorë, me sfond global racash e ngjyrash, nën urat gjithandej qytetit, por që megjithatë çdo gjë
funksiononte efektivisht. Sa e vështroja nga një anë, sa nga një tjetër, një arkitekturë e ngjashme
ndërtimi të krijonin përshtypjen se je në një planet tjetër, ku jeta zhvillohet mbi kanale ujore.
Sikur nuk plotësohesha nga pamjet magjike të këtij qyteti, e megjithatë duhej larguar, i mbushur
me ndjesinë se kisha përjetuar një vizitë me shije sa perspektive dhe realiste, po aq imagjinare
dhe retrospektivisht historike. Këtu e kuptova ndryshueshmërinë e ekzistencës njerëzore dhe
peshën njohëse të njeriut në dimensionin absolut të realitetit.
Pas më shumë se dy orësh u nisa drejt Veronës, për ta vizituar pikën e radhës, ku historia ka lënë
gjurmë dhe joshje globale për vizitorët. Kisha përshtypjen se jo Arena, një objekt arkitekturor i
gurtë, një kështjellë harkore me harqe në të gjitha anët, me muret që, edhe pse i kishin rrëgjuar
motet, po qëndronin madhështore për të treguar lashtësinë e këtij qytetërimi, por ishte shtëpia e
Gjulietës (nga drama “Romeo dhe Gjulieta” e Shekspirit) ajo që kishte provokuar atë masë të
paanë vizitorësh që kishin “vërshuar” pandalshëm (besa edhe pakontrollueshëm, ngase asnjë
kontroll shtetëror për rend në hyrje të saj nuk vërehej atë ditë), të cilët shkujdesshëm dhe të
parend ia kishin mësyrë hyrjes së shtëpisë, në një rrugicë të ngushtë, para së cilës ishte krijuar
një turmë e çrregullt njerëzish, të cilët kurrsesi të ndaleshin dhe të koordinoheshin për një hyrje
të rregullt brenda oborrit të shtëpisë së Gjylietës.
Me gjithë të papriturat dhe pakënaqësinë me atë
situatë anarkie, u afrova pranë portës dhe mezi po e shihja statujën e Gjulietës, prej një largësie
ndoshta jo më shumë se 10 metrash, por kurrsesi të pajtohesha të bëhesha pjesë e një tollovie të
tillë, pa rend e pa rregull hyrjeje, kështu që, sado i pakënaqur dhe mospajtues, u detyrova të largohesha pa e parë nga afër statujën dhe pa e shkelur oborrin e shtëpisë së saj… Gjithfarë
pengesash të tjera i kisha marrë me mend, por se turma aq e çrregullt e vizitorëve të më
pamundësonte të hyja brenda, këtë kurrë ta kisha kujtuar… Dhe, u largova me vetëpremtimin se
do të kthehem në këtë vend, gjithsesi, në mundësinë e parë, së shpejti, me shumë pasiguri
mendimesh, ama, megjithatë, një objekt kulture me referencë globale ia vlen të vizitohet më
shumë herë, sidomos tash kur mision të vetëm jetësor kam vizitat e monumenteve të caktuara
historike, kulturore e strategjike me peshë njohëse.
Në ecje e sipër qendrës së qytetit, ashtu i zhgënjyer që nuk munda ta vizitoja siç kish planifikuar
shtëpinë e Gjylietës, u gjenda edhe para statujës së Viktor Emanuelit II (1820-1878), varrimi i të
cilit është bërë në Panteonin e Romës, dhe ngase kisha lexuar historinë e këtij mbreti italian, nga
kureshtja u ndala pranë tij dhe gjithashtu ktheva në kujtesë shumëçka nga historia e tij. Një
familje mbretërore që ka bërë shumë për historinë e Italisë…
Mbrëmje. Nga Verona u ktheva në Viçenca, ku kisha bërë rezervimin e hotelit, që të nesërmen të
vijoja drejt Triestes, për të vazhduar drejt Kroacisë dhe për t’u ndalur në Zarë (Zadar).
Po kthehesha në këtë qytet pas 36 vjetësh, për ta vizituar sërish, tashmë me një ndjesi tjetër: sa kohë
kishin kaluar, e sa ngjashmëri qyteti, veçanërisht në qendrën e tij… Ktheva në kujtesë atë që më
kishte mbetur dhe shumëçka m’u rikthye qartë dhe me një kthjelltësi të çuditshme, atëherë kur si
i ri po vizitoja këtë qytet të ish-Jugosllavisë, e tani në Kroacinë e pavarur…
U ula në një restorant buzë mureve të vjetra të qytetit, me pamje nga deti dhe, me kafenë para u
thellova në “arkivin” e së kaluarës sime dhe të përvojave të mbetura që atëherë, disa momente i
ristrukturoja qartë, e të tjera sikur ishin zbehur deri në errësim të plotë… Kisha për të bërë edhe
shumë rrugë, kështu që më duhej të ndërprisja përsiatjet e mia për këtë qytet, me një peshë
shumë të veçantë në jetën time! Për një çast, një nostalgji dhe emocion i veçantë m’u ngjallën,
një ndjeshmëri e papërjetuar… U largova me një ndjesi shpirtthyer dhe gati groteske: a thua do të
kisha mundësi të vija përsëri në këtë qytet! Nuk do të doja të ishte vizita e fundit! Disa pika loti,
pahetueshëm, më rrodhën lehtë fytyrës dhe para se të hyja në veturë, ktheva kokën për herë të
fundit që të regjistroja ato pamje qyteti që më silleshin në kujtesë që nga mosha e rinisë dhe
përjetime të shumta nga ajo kohë. Ah, jeta qenka edhe e tillë, me dimensionin e saj ndarës…
Dhe, në ndaljen e parë skaj autostradës drejt Splitit për pushim kafeje, i mbuluar nga një qetësi
gati frikësuese, sikur u kthjella dhe njëkohësisht u tranda: një ndjesi enigmatike, trembëse, sikur
më përfshiu ato momente largimi nga qyteti i Zarës, ku kisha përjetuar diçka unike: idenë e
mosardhjes së serishme në këtë qytet! Diçka që s’mund ta përshkruaj, diçka të tillë s’e kisha
përjetuar nga largime dhe ndarje prej dhjetëra qyteteve të tjera! Kurrsesi t’i gjeja shpjegimin e
duhur, a ta zbërtheja “mesazhin” e asaj ndjenje të veçantë shpirtërore, i prirë të mos e pranoja si
përmasë reale, por si një çast dobësie nga doza të një ligështimi të atypëratyshëm ndjesor…
Muhamet Reçica
Të tjera nga Botë
E-Diaspora
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë Drejtuesja politike e PD të Shqipërisë për Diasporën, Jozefina Topalli po qëndron në New York të...
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
-
Një rrugë në Filadelfia të SHBA-së merr emrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”
-
Në kërkim për trafik droge, arrestohet në Spanjë 32-vjeçari shqiptar
-
Itali: Shpërthen fabrika e fishekzjarreve, humbin jeten 2 motra dhe një 18-vjeçar shqiptar
Jeta në Zvicër
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor Të mërkurën, Këshilli Federal vendosi hyrjen në fuqi të urdhëresës përkatëse për 1 janar 2025, ashgu...
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025
-
Shumica e zviceranëve nuk i pëlqejnë masat shtrënguese të qeverisë së tyre