Botë
Udhëpërshkrime: Dubrovniku, Spliti, Liqenet e Plitvicës…
Ishte një kërkesë e kamotshme imja t’i vizitoja këto vende turistike. Kështu që, më 30 tetor 2024, rreth
orës 11 arrita në Dubrovnik dhe në dilemën ku ta parkoja veturën, u përcaktova për alternativën më të
pasigurt: ta parkoja në anën e djathtë të rrugës magjistrale, buzë shtigjeve për këmbësorë dhe, për
befasi, kjo funksionoi për mrekulli! Posa e kalova rrugën, mora shkallët teposhtë, të cilat më nxorën në
rrugën qendrore dhe drejt e te muret e kalasë së qytetit të vjetër.
Hyrja në portën e qytetit paralajmëronte për numër të madh vizitorësh, nga të gjitha anët, duke
dominuar ata në grupe. Rrugë të ngushta, lëvizje të shumta, të pakoordinuara, një gjallëri
shpërqendruese dhe zhurmë e pakontrolluar që të bënte të kesh shumë kujdes gjatë ecjes. Lokale
kafenesh në çdo kënd, çmime të kripura dhe pa ndonjë komoditet. Megjithatë, turistët nuk ndaleshin, sa
andej e sa këndej… I shikoja ato rrugë të ngushta, ato ndërtesa të vjetra dhe atë arkitekturë të veçantë,
aq tërheqëse për vizitorët, sa edhe historia e këtij vendbanimi të hershëm. Kur nëpër një deriçkë të
vogël dolëm jashtë mureve, në anën lindore të qytetit, me pamje nga deti, në horizont të shfaqej një
pamje e mrekullueshme, gati magjike! Pra, unike dhe, për ndjeshmërinë time, e papërsëritshme!
Prandaj edhe aq tërheqëse për vizitorë të shumtë. Në temperaturën prej 25 gradë Celsius, po ndiheshim
të lodhur dhe kërkonim derën dalëse për t’u ulur dhe vrojtuar nga jashtë qytetin. Po rrahja në mendje
interesimin kaq të madh të vizitorëve për këtë qytet, me gjithë çmimet e larta dhe ngarkesat e tjera
përcjellëse. Në janë të gjithë ta pahalle apo… dhe arrita në përfundimin: ia vlen ta njohësh historinë e
këtij qyteti dhe planifikimin e brendshëm të tij, shumë i veçantë dhe i pakrahasueshëm…
Në dalje të qytetit drejt Plloçes dhe Splitit, ura “D. Franjo Tuxhman” dhe emri i tij m’i përkujtoi vitet ’90-
a të shekullit të kaluar. Një lider kroat që i priu Kroacisë në procesin e ndarjes nga ish-Jugosllavia, edhe
me luftë, dhe një mik i shqiptarëve të Kosovës atë kohë, një histori, të cilën tashmë e kemi lënë prapa…
Mbrëmje. Spliti, një qytet i bukur, me pamje tërheqëse. Pasi u vendosëm në hotel, dolëm ta shëtisnim
këmbë qytetin, deri në lagjen Riva, buzë detit. Një shesh i bukur, me plot lokale gastronomie, me çmime
të shtrenjta dhe, çuditërisht, plot vizitorë. Po aq madhështore ishte pjesa e vjetër e qytetit, Pallati i
Diklecionit, me rrugët e ngushta, me lokale të ndryshme biznesi dhe me galeri të shumta arti…
Megjithatë, një qetësi më tërheqëse po mbretëronte mes këtyre mureve, lëvizje më të bashkërenduara
që të bënin të ndiheshe më komod në ecje dhe më i rehatshëm në vrojtim. Pasi u ula për të shijuar një
kafe “splitiane”, në kontaktin e parë me një kamerier, përjetova këtë bisedë:
– Ju neni turistë, me sa po kuptoj unë, – ishin fjalët e para të tij, me një qëndrim serioz, por me një
buzëqeshje të mezimbajtur.
– Pse është e rëndësishme kjo, të gjithë këta mysafirë ulur nuk janë turistë, po besoj,- ia ktheva unë me
kroato-serbishten time deri diku të rrjedhshme.
– Nëse nuk jeni nga Kosova, jeni nga Shqipëria, sigurisht, – ma ktheu disi i ngazëlluar në muhabetin e tij.
– Edhe kjo është e parëndësishme, sado që nuk ia huqe,- ia ktheva, kureshtar ku do të dilte.
– Ka shumë shqiptarë këtu në Split dhe rrethinë, punëtorë të rregullt apo sezonalë, kështu që nga ulja
juaj e kuptova se jeni turistë, – vijoi arsyetimin e tij, disi me një seriozitet të tejçmuar.
– Disa nga ta kanë sjellje korrekte, disa të tjerë…, – u ndal së foluri, ama gjithçka e shprehu me mimikën e
tij dhe lëkundje koke, buzë e hundë bashkë!
– Të lutem, ka nga të gjithë kategori të ndryshme turistësh dhe sjellje të pahijshme, kështu që…, – po
mundohesha ta relativizoja konstatimin e tij.
– E di, ashtu është, ama…ka sjellje të tepruara nga ta, sa që…, sidoqoftë me se mund t’ju shërbej, ju
lutem,- sikur ndryshoi diskursin dhe po përpiqej të merrte një pozicion me qëndrim më serioz dhe
asnjanës.
Bëmë porosinë, por nuk u ndjeva rehat. Pse jemi të tillë!? Pse duhet të veçohemi për të keq!? Pse duhet
të lëmë përshtypje negative për identitetin tonë kudo që shkojmë!?
Të nesërmen, më 31 tetor, po udhëtoja autostradës drejt Zagrebit dhe në shenjën përkatëse orientuese,
u ktheva në të djathtë drejt Liqeneve të Plitvicës. Kisha informacione për këto liqene, për bukuritë e tyre
të mahnitshme, e tani po u afrohesha dhe do të kisha mundësinë t’i shijoja nga afër. Veturën e parkuam
në të djathtë, derisa liqenet ishin në anën e kundërt të rrugës. I nxorëm biletat dhe pika e parë ishte
para Ujëvarës së madhe, të cilën po e soditnim nga një platformë druri, e ndërtuar specifikisht për këtë
qëllim. Një pamje gati magjike të shfaqej përpara, e cila të tërhiqte ta shijosh nga afër, kështu që u
drejtuam shtigjeve zigzage në të majtë për të zbritur në nivel të liqenit. Kaluam nëpër platforma druri
mbi ujë (befasisht, pa mbrojtëse anësore), dolëm në anën tjetër të liqenit dhe iu afruam ujëvarës: një
bukuri misterioze, por tërheqëse, po më joshte së shikuari, një mister sa i paqartë, po aq domethënës,
ngase të ngjallte një ndjeshmëri të papërjetuar, unike, sa drithëruese, aq ngazëllyese, sikur isha
përfshirë në madhështinë e atij ambienti! Tamam po e ndieja veten në lidhje të mirëfilltë me natyrën
dhe po shijoja çastet, minutat dhe atë ditë, ndër më të veçantat në jetën time. Këtu po ndihesha në
lidhje shpirtërore me ujëvarën, me liqenin, me pamjet përreth, me gjithë mjedisin. Një frymëzim
ndjenjor i pazakontë më printe në shijimin sa më të plotë të këtyre pamjeve, që më ofronin një
perceptim të papërsëritshëm, e megjithatë koha pavërejtshëm kishte ecur, kështu që na duhej të
largoheshim, i tejkënaqur që e vizitova, i mbushur me përjetime madhështore dhe më i pasur me një
përvojë njohëse…
Autor: Muhamet Reçica
Të tjera nga Botë
E-Diaspora
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën “Kudo që të shkoni, shtëpia juaj vjen nga Kosova” – Një slogan që po pushton Evropën...
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Fishekzjarret prodhojnë deri në 400 tonë pluhur të imët Sipas Zyrës Federale për Mjedisin, shfaqjet e fishekzjarreve, të tilla si ato të mbajtura në 1...
-
Ekonomia zvicerane shënon rënie
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën
-
Zvicra do të kryesojë OSBE-në në vitin 2026
-
Një trend Tiktok që shkakton probleme te të rinjtë