Gjatë vizitës, ajo pati mundësinë të shohë nga afër angazhimin e brezave të rinj që, përmes këngës dhe vallës, mbajnë gjallë trashëgiminë tonë kulturore. “Kënaqësi e madhe të shohësh brezat e rinj duke kërcyer me pasion e dashuri vallën e bukur shqipe, një dëshmi e gjallë se trashëgimia jonë po jeton dhe po përcillet me krenari,” u shpreh Floreta Kabashi-Ademaj.
Ajo shprehu mirënjohjen e saj të veçantë për udhëheqësin e ansamblit, z. Fadil Avdija, si dhe për gjithë kryesinë, prindërit dhe komunitetin që mbështet këtë iniciativë kulturore me përkushtim të madh.
“Faleminderit që po bartni me përkushtim këtë trashëgimi të çmuar tek gjeneratat e reja,” përfundoi konsullja në fjalën e saj.
Ansambli “Gëzuar” në Gjenevë, për vite me radhë, ka qenë një pikë referimi për komunitetin shqiptar në Zvicër, duke luajtur një rol kyç në ruajtjen e identitetit kombëtar përmes artit dhe kulturës, transmeton albinfo.ch.