Lajme
U shua Dritëro Agolli, ikona e prozës dhe poezisë shqiptare
Pas vdekjes së Agollit shumë telegrame i shkuan familjes së tij nga Kosova, Shqipëria dhe vendet tjera shqiptare. Ai vdiq në moshën 85 vjeçare, pas një sëmundje në mushkri

Në moshën 85-vjeçare, është shuar nga jeta shkrimtari, ideatori dhe politikani i mirënjohur shqiptar Dritëro Agolli. Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët e shkrimtarit. Agolli katër ditë më parë u shtri në spital për shkak të një sëmundjeje në mushkëri.
Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ai vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Shën Petërburg. Ai ka punuar për shumë kohë si gazetar në të përditshmen “Zëri i Popullit” dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Dritëro Agolli është njëra nga shkrimtarët më të dalluar të kulturës shqiptare, që la gjurmë të pashlyera në letërsi. Ai pas vetës la një krijimtari shumë të pasur në prozë ndërsa konsiderohet si mjeshtri i madh i poezisë. Disa nga veprat e tij të shkruara në prozë, u luajtën edhe në filma.
Krijimtaria e tij letrare është e pasur me gjini të ndryshme si poezi, poema, tregime, romane, si dhe drama e skenarë filmash, që e kanë bërë fitues të disa çmimeve.
Mes veprave të kësaj gjinie spikasin romani “Komisari Memo” (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ; si dhe “Njeriu me Top” (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve.
Ndër krijimet satirike i paharrueshëm mbetet romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973), që vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri.
Pas vdekjes së Agollit shumë telegrame i shkuan familjes së tij nga Kosova, Shqipëria dhe vendet tjera shqiptare.
Në telegram, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për Familjen Agolli
“Me krijimtarinë e tij letrare dhe poezitë e mrekullueshme, Dritëro Agolli, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe. Qytetarët dhe Qeveria e Republikës së Kosovës bashkëndjejnë me Ju dhimbjen e madhe në këto momente të vështira”, shkruan Mustafa.
Kryekuvendari kosovar, Kadri Veseli ka thënë se vdekja e shkrimtarit të njohur shqiptar Dritëro Agollit është një humbje e madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare.
“Agolli ishte mjeshtër i rrallë i poezisë dhe prozës letrare, por edhe një intelektual që në angazhimin e tij politik transmetonte gjithmonë urtësi, humanizëm dhe mendime vizionare për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe kudo që ata jetojnë”, ka shkruar Veseli në një postim në llogarinë e tij në Facebook.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin e tij zyrtarë “facebook”, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e shkrimtarit dhe poetit Dritëro Agolli.
“Lamtumirë Dritëro. U prehsh i qetë në tokën ku le pas një mal të lartë përjetësie, i cili do të mbetet vend pelegrinazhi për gjithë të dashuruarit pas letrave shqipe, brez pas brezi…”, ka shkruar Rama.
E-Diaspora
-
Langenthal: Shënohet 35 vjetori i pajtimit të madh shqiptar në Verrat e Llukës Më 3 maj 2025 në Langenthal (BE), me organizim të Lidhjes Shqiptare në Botë shënohet 35...
-
Shqiptari nga Maqedonia akuzohet se ka mbajtur mbyllur gruan për dhjetë vite
-
Nga vizioni, te suksesi: Rruga e Kreshnik Niko Tolajt nga boksi në biznes
-
Remitenca në shtretër të ftohtë
-
Problematikat me shpërndarjen e fletëve të votimit në diasporë
Jeta në Zvicër
-
Trajnimi i refugjatëve për t’u bërë asistentë mjekësorë në Ringgenberg Nga gushti, refugjatët do të trajnohen si asistentë mjekësorë në strehimin kolektiv në Ringgenberg. Pas një...
-
Gazi është bërë më i lirë në kantonin Zug
-
Krahasim: Fluturimet u bënë më të lira por çfarë u shtrenjtua?
-
Shkrirja e shpejtë e dëborës në Alpet zvicerane: Turizmi dimëror përballet me sfida
-
A po humbet Zvicra tërheqjen si vend farmaceutik?