Shkurt.ch

U rriten pagat pastruesve

Nga viti 2012, pastruesit do të paguhen deri në 2.5 për qind më shumë dhe do të marrin edhe rrogën e trembëdhjetë

Të punësuarit në degën e pastrimit, të cilët janë pjesë e një Marrëveshjeje Kolektive të Punës (GAV), duke filluar nga viti 2012 do të paguhen deri në 2.5 për qind më shumë se deri më tash.

Krahas kësaj, ata do të marrin edhe rrogën e trembëdhjetë.

Këto janë të arriturat kryesore të negociatave për Marrëveshjen Kolektive të Punës, siç bën me dije komisioni i paritetit për degën e pastrimit.

Me marrëveshjen në fjalë janë të mbuluar rreth 50.000 punëtorë, të cilët u përkasin 100 etnive dhe që punojnë për  650 firma pastrimi.

Por, siç tregon reagimi i sindikatës UNIA, kjo ngritje pagash nuk e avancon shumë pozitën e pastruseve. Në këtë degë ushtrohet një presion enorm ndaj punëtorëve për të arritur rezultate të mëdha të punës. Pastruesit e ndërtesave, sipas kësaj sindikate, detyrohen që brenda kohës së njëjtë të pastrojnë hapësira deri në dy fish më të mëdha.