Lajme

U përfol si Sekretar i Shtetit, Reuters zbulon detyrën e re të Grenell, por Trump nuk e konfirmon

Grenell si duket do të duhet të kënaqet vetëm me postin e të dërguarit special të SHBA-së për Iranin.

Emri i Richard Grenell, një këshilltar i ngushtë i Donald Trump për çështjet e politikës së jashtme, u përfol për disa nga postet më të rëndësishme të administratës amerikane që nga data 6 nëntor, kur u konfirmua fitorja e ish-Presidentit në zgjedhjet presidenciale.

Mediat amerikane raportonin se Grenell, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe si drejtor i përkohshëm i Inteligjencës Kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit, po merrej në konsideratë për një pozicion të rëndësishëm.

Ai konsiderohej si një kandidat i fortë për rolin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare apo Sekretarit amerikan të Shtetit, por të gjitha pistat janë zbehur dhe ditën e sotme është zbuluar detyra e mundshme që Trump do t’i besojë.

Grenell si duket do të duhet të kënaqet vetëm me postin e të dërguarit special të SHBA-së për Iranin. Ka qenë Presidenti i sapozgjedhur që ka shpërndarë në Truth Social një artikull të Reuters, ku shkruhet për detyrën e re të tij, por Trump nuk e konfirmon plotësisht këtë gjë.

“Grenell është një yll që do të marrë një pozicion të rëndësishëm”, shkruan Trump, duke lënë ende hije dyshimi.