Lajme

Twitter shënon ulje të aksioneve pas bllokimit të llogarisë së Trumpit

Aksionet e listuara gjermane të Twitter ranë me 8% të hënën, në ditën e parë të hapjes së bursave pas pezullimit të llogarisë së presidentit amerikan, Donald Trump, të premten.

Kompania tha se vendimi ndaj llogarisë së Trumpit, që numëron 88 milionë ndjekës, u mor pasi “komunikimi” i tij rrezikonte të nxiste më shumë dhunë në vend, raporton a2 news, përcjell Albinfo.ch.

Këto zhvillime erdhën pas trazirave të shënuara në Capitoll Hill, gjatë seancës për certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden.

Ishte hera e parë që Twitteri pezulloi një kryetar shteti, duke nxitur kështu mjaft debate lidhur me ndikimin që gjigantët amerikanë të teknologjisë kanë mbi fjalën e lirë dhe demokracinë.

Më herët, edhe Facebooku ia pezulloi llogarinë Trump deri në fund të mandatit të tij presidencial (20 janar), me arsyetimin se po parandalon ndonjë nxitje të mundshme të dhunës.