Lajme

Twitter paditet me 250 milionë dollarë

Një grup prej 17 kompanive muzikore në SHBA ka paditur Twitterin, duke pretenduar se platforma ka mundësuar shkeljen e të drejtave të autorit që përfshinin afro 1,700 këngë.

Shoqata Kombëtare e Botuesve të Muzikës (NMPA) po kërkon më shumë se 250 milionë dollarë si dëmshpërblim.

Në një padi të paraqitur në Gjykatën Federale të Qarkut në Nashville, NMPA pretendoi se Twitter “lejon dhe inkurajon shkeljen” për përfitim.

Shoqata thotë se situata nuk është përmirësuar që kur Elon Musk bleu kompaninë.

NMPA, që përfaqëson firmat – duke përfshirë Sony Music Publishing, BMG Rights Management dhe Universal Music Publishing Group – pretendoi se Twitter vazhdon të “mbledhë fitime të mëdha nga disponueshmëria e muzikës së palicencuar pa paguar tarifat e nevojshme të licencimit për të”.

Shoqata shtoi se shkeljet i kanë dhënë Twitterit një “përparësi të padrejtë” ndaj konkurrentëve – duke përfshirë TikTok-un, Facebook-un, Instagram-in, YouTube-n dhe Snapchat-in – të cilët paguajnë për licencat muzikore.