Maqedonia

Turizmi në Maqedoni shënon rënie për 70 për qind në vitin 2020

Viti pandemik, 2020 ka godiur çdo fushë të jetës. Në veçanti, turizmin. Autoritetet maqedonase thonë se ky vit do të përfundojë me një rënie të fitimit me mbi 70 përqind në turizëm dhe hotelieri. Kompanitë, përkundër faktit se deri më tani ka pasur disa paketa të masave ekonomike nga shteti, kërkojnë masa të veçanta të mbështetjes së shtetit për të mbijetuar dhe mbajtur punëtorët, përcjell albinfo.ch.

Deri në tetor, vetëm 414.824 turistë u regjistruan me 1.589.009 qëndrime gjatë natës, që është një rënie prej 47.2 përqind. Numri i turistëve të huaj ra me 84.1 përqind.

Daniela Vasilevska Mihajlovska, këshilltare e pavarur në Odën Ekonomike të Maqedonisë, pret që rënia të jetë edhe më e madhe në tremujorin e fundit duke pasur parasysh kufizimet edhe më të mëdha dhe shkurtimin e orëve të punës.

“Sidoqoftë, të dhënat nga statistikat zyrtare tregojnë se masat e qeverisë, kryesisht në pjesën e lëshimit të vauçerëve për një kategori të caktuar të qytetarëve në mbështetje të sektorit të turizmit dhe hotelierisë, kanë dhënë rezultate në qendrat turistike, veçanërisht në sezonin e verës”, thotë Vasilevska Mihajlovska.