Shkurt.ch

Turistët kinezë nuk duan të dinë për frangun e fortë

Në vitin 2006 kinezët kishin realizuar 200 mijë buajtje, në fund të vitit 2010 ishin 404 mijë, pra mbi dyfish më shumë

Frangu shumë i fortë kundrejt euros dhe dollarit ka shkaktuar pakësim të numrit të turistëve që vizitojnë Zvicrën. Vetëm turistët kinezë nuk po ndikohen nga kursi i valutave.

Madje ky numër në vitet e fundit është rritur për disa herë. Kështu, nëse në vitin 2006 kinezët kishin realizuar 200 mijë buajtje, në fund të vitit 2010 ishin 404 mijë, pra mbi dyfish më shumë.

Përveç që realizojnë shumë buajtje, kinezët tregohen dorëshlirë edhe me shpenzimet tjera. Mesatarisht një turist kinez në Zvicër shpenzon 430 franga në ditë, njofton emisioni tagesschau i televizionit zviceran.

Megjithatë, “Schweiz Turismus” konsideron se shtrohet nevoja për më shumë marketing të turizmit zviceran në Kinë. Departamenti i Jashtëm i Zvicrës ka ndërmarrë masat e nevojshme për t`i përpunuar kërkesat e panumërta për viza turistike që vijnë nga Kina.