Shqipëria

Tuneli i Llogarasë në Shqipëri me matës shpejtësie, thirrje për kujdes

Tuneli i Llogarasë i cili u inaugurua ditë më parë, do të monitorohet 24 orë me kamera dhe në të do të ketë të instaluar edhe matës shpejtësie.

Lajmin e ka bërë të ditur Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Gentian Gjyli, teksa kanë qenë për inspektim në tunelin e Llogarasë, për masat e marra me qëllim parandalimin e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

“Tuneli monitorohet 24 orë me kamera dhe matës të shpejtësisë, si dhe nëpërmjet grupit TNT, me qëllim parandalimin e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe menaxhimin e trafikut. Apeloj për qytetarët që të respektojnë sinjalistikën rrugore të vendosur në tunel, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore” tha Qato.

Gjithashtu drejtori i Policisë Rrugore i bëri apel qytetarëve që të respektojnë sinjalistikën rrugore të vendosur në tunel, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

“Kemi marrë angazhim të plotë dhe jemi në koordinim të vazhdueshëm me Policinë Rrugore, për të ndërhyrë në raste nevoje që mund të shfaqen gjatë operimit” u shpreh Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli.

Tuneli i Llogarasë u hap më 5 korrik 2024. Ky tunel, me gjatësi 6 km dhe shpejtësi maksimale të lejuar 80 km në orë, shkurton distancën nga Dukati në Palasë, nga 30 minuta në 7-8 minuta. Ndërkohë, nga Vlora në Palasë që nëse dikur bëhej për 1 orë, tashmë realizohet për 20 minuta.