Tematike

Tumori në tru dhe sëmundja e harresës “e shpëtojnë” nga dëbimi në Kosovë

43 vjeçari duhej të kthehej në Kosovë, sikur të miratohej kërkesa e prokurores publike të Lucernit. Ajo akuzonte atë për abuzim me ndihmat sociale

Burri 43 vjeçar, i lindur në Kosovë dhe i ardhur në Zvicër si fëmijë, ka një asistente sepse nuk është në gjendje të kujdeset për veten e tij. Ajo e ka regjistruar atë në Zyrën e ndihmave sociale edhe pse ai ndërkohë kishte gjetur një punë. Dhe, kjo u bë shkak që kosovari për pak të humbte lejen e tij të qëndrimit në Zvicër, shkruan zentralplus.ch.

“Jam i lumtur që mund të jetoj këtu”, është shprehur kosovari, i cili është përgjigjur ditë më parë para Gjykatës së Qarkut në Lucern. Ishte fjalia e vetme që e tha ai atë ditë. Ai e ka të vështirë t`u përgjigjet pyetjeve të gjyqtarit., transmeton albinfo.ch. Secilën herë që fillon të flasë, ai e humbet fillin. Mbi 30 vjet në Zvicër, ku ka ndjekur shkollimin, 43 vjeçarin me Kosovën e lidh vetëm një vëlla, me të cilin pothuajse nuk mban kontakte.

Sidoqoftë, ai duhej të kthehej në Kosovë, sikur të miratohej kërkesa e prokurores publike të Lucernit. Ajo akuzonte kosovarin për abuzim me ndihmat sociale. Në shtator të vitit 2018, asistentja e tij i kishte kërkuar që t`ia bënte kërkesën për të vazhduar mbështetjen nga zyra e mirëqenies sociale. Pa e diskutuar më parë këtë me personin në fjalë, ajo kishte shkruar në kërkesë se ai nuk ka ndonjë pagë ose ndonjë të ardhur tjetër, përcjell albinfo.ch. Por në fakt, ai kishte filluar një punë të re dy muaj më parë. Për këtë arsye, ai kishte marrë në mënyrë të paligjshme rreth 2000 franga në muaj. Para këto që ai i ka kthyer prej kohësh, pra nuk i ka shfrxtëzuar.

Por, nga këndvështrimi i prokurores, kjo nuk ndryshon faktin se ai është fajtor për abuzim me ndihmat sociale. Ai, sipas saj, duhej të kishte raportuar  pa u pyetur, për çdo ndryshim të ndodhur të rrethanave të tij personale dhe financiare dhe ai e dinte shumë mirë këtë.

Por përse nuk e bëri? Pyet gjykatësi. “Unë kam probleme psikologjike”, ishte përgjigjja e të akuzuarit. “Ndonëse nuk më pëlqen ta them këtë. Por është kështu”. Ndryshe, raporte të ndryshme mjekësore tregojnë se ai ka një tumor të trurit dhe vuan nga një depresion i rëndë, transmeton albinfo.ch. “Jam harrestar”, thotë ai. Është e qartë se i vie rëndë të flasë për sëmundjen e tij. Pastaj, është e vështirë të besohet se i akuzuari është vetëm 43 vjeç. Ai duket njëzet vjet më i vjetër.

Prokurorja, nga ana tjetër, është e bindur se problemet shëndetësore janë vetëm një justifikim për të akuzuarin. Ai më parë kishte fshehur të ardhurat nga zyra e mirëqenies sociale. Neurologu i kishte shkruar në një raport mjekësor se bëhej fjalë vetëm për një tumor të vogël në tru dhe se aftësinë për t’u përqendruar nuk e kishte të kufizuar.

“Ai jep përshtypjen si njeri i dorëzuar. Nuk ka vullnet për të marrë përgjegjësi”, është shprehur prokurorja. Sipas saj, ai pretendon të ketë probleme psikologjike, por nuk ndërmerr asgjë, përcjell albinfo.ch. Dënimi i duhur për abuzimin me ndihmat sociale është një gjobë e kushtëzuar prej 50 njësive ditore nga 30 franga secila dhe një gjobë prej 400 frangash. Përveç kësaj, ai, sipas akuzës, duhej të dëbohej nga Zvicra për pesë vjet.

Por ndërkaq, avokati e përçmon raportin e neurologut duke e quajtur atë raport,  të papërgjegjshëm.

Avokati ka prezantuar para gjykatës një seri çertifikimesh mjekësore, transmeton albinfo.ch. Të gjitha ato vërtetojnë se kosovari ka pasur prej dhjetë vitesh probleme me kujtesën dhe në vitin 2014 i ishte diagnostikuar një depresion kronik.

Psikiatria e Lucernit në trajtimin spitalor në vitin 2016, gjithashtu kishte gjetur tek ai  çrregullime të përqendrimit. “Klienti im nuk është një person që feston. Paraqitja e tij këtu në gjyq nuk është luajtje roli. Kushdo që ka dy sy në kokë mund të shohë se ai vuan nga depresioni”, ka thënë mbrojtësi.

Gjykatësi, e ndan këtë vlerësim me avokatin. I akuzuari, sipas tij, ka një  asistent (këshilltar) për faktin se nuk është në gjendje të rregullojë vetë çështjet e tij administrative dhe financiare dhe as  të komunikojë me autoritetet dhe zyrat.

Ai nuk mund të kujdeset për të kryer punët e veta në këto fusha. Prandaj, procesi nuk e vërtetoi se i akuzuari qëllimisht e ka mbajtur sekret punën e tij të re, përcjell albinfo.ch. Kështu, ai shpallet i pafajshëm dhe i liruar nga akuza. Por, vendimi nuk është ende përfundimtar.