Koronavirusi: çast pas çasti
Trump kundërshton drejtorin e CDC-së për vaksinat dhe maskën
Presidenti Donald Trump kundërshtoi të mërkurën një deklaratë të drejtorit të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve lidhur me planet e administratës së tij për të vënë në dispozicion vaksinën për koronavirusin dhe për efektivitetin e maskës. Ndërkohë, kandidati demokrat për president paraqiti planin e tij për vaksinën, nëse fiton në zgjedhjet e nëntorit.
Një vaksinë kundër koronavirusit do të jetë në dispozicion në sasi të kufizuar në periudhën mes nëntorit dhe dhjetorit, u tha ligjvënësve të mërkurën drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Por, ai tha se nuk do të ishte gjerësisht në dispozicion për publikun, deri shumë më vonë.
“Mendoj se bëhet fjalë për fundin e tremujorit të dytë, ose tremujorin e tretë 2021”, tha ai.
Vetëm disa orë më pas, presidenti Donald Trump kundërshtoi ekspertin e administratës së tij.
“Mendoj se gaboi kur e tha një gjë të tillë, është thjesht informacion i pasaktë. E telefonova dhe nuk më tha të njëjtën gjë, besoj se tani e ka të qartë, mund të jetë ngatërruar, ndoshta është shprehur gabim. Ne jemi gati të fillojmë menjëherë pasi të shpallet vaksina dhe mund të shpallet në tetor“.
Përgjigjja e Amerikës ndaj pandemisë është një çështje kyçe në garën presidenciale të nëntorit dhe Trump ka thënë se një vaksinë mund të jetë gati deri ditën e zgjedhjeve.
Trump kundërshtoi gjithashtu deklaratën e drejtorit të CDC-së se maskat janë të efektshme dhe mund të mbrojnë më shumë se sa një vaksinë.
Në një diskutim me votues në Filadelfia të martën mbrëma, organizuar nga ABC News, Trump sugjeroi që imuniteti i turmës mund të bëjë që koronavirusi të zhduket pa një vaksinë.
Një imunitet në masë ndodh kur një përqindje e lartë e popullatës infektohet, duke tkurrur gjasat e prekjes për individët që nuk e kanë këtë imunitet.
“Mënyra e vetme për të arritur imunitetin e turmës pa një vaksinë është që virusi të bëjë gjithçka vetvetiu. Kështu virusi do të infektonte shumë, shumë njerëz dhe do të sëmurte shumë, shumë njerëz, do të çonte shumë prej tyre në spital, dhe do të kishte shumë vdekje të njerëzve të të gjitha moshave, fëmijëve, të rinjve dhe natyrisht, shumë të moshuarve dhe njerëzve me sëmundje kronike. Jo, ne nuk do ta dëshironim këtë”, thotë Profesori i Universitetit Vanderbilt, William Schaffner, një specialist i sëmundjeve infektive.
Në përpjekje për të paraqitur një kontrast me qëndrimin e Trump për të luftuar pandeminë, kandidati demokrat për president, Joe Biden, paraqiti të mërkurën planin e tij për të zhvilluar dhe shpërndarë një vaksinë nëse zgjidhet.
“Këtu përfshihen afatet e detajuara për marrjen e vaksinës, përcaktimi i qartë i grupeve që kanë përparësi, mjetet dhe mekanizmat konkrete për transportin dhe ruajtjen e vaksinave në temperaturën e duhur. Dy prej vaksinave që po testohen, duhet të mbahen dhe shpërndahen në temperaturë minus 21 gradë Celsius. Ndarja e përgjegjësisë duhet të jetë e qartë. Dhe unë do të tregoj udhëheqjen e nevojshme për ta zbatuar atë plan”, tha ai.
Ndërsa disa amerikanë fillojnë të dërgojnë me postë votat e tyre për zgjedhjet e nëntorit, një anketë e fundit nga ABC News dhe Ipsos, tregon se 65 për qind e amerikanëve nuk e miraton mënyrën se si po e menaxhon presidenti Trump pandeminë
Të ngjashme
Të tjera nga Koronavirusi: çast pas çasti
E-Diaspora
-
Edi Rama sot takon diasporën në Londër Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të dielën do të mbajë tubim me diasporën shqiptare në Londër....
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
Jeta në Zvicër
-
Banorët e Cyrihut duhet të ndajnë 45 franga për dritat e Krishtlindjeve Dritat e Krishtlindjeve të Cyrihut kushtojnë shumë para. Publiku tani po ndihmon me sponsorizimet për t’u...
-
Zvicër: Mbi 12,000 raportime për fyerje
-
Çfarë nisma të tjera votojnë kantonet dhe qytetet në Zvicër?
-
Zvicra voton për katër propozime kombëtare sot
-
Qeveria federale bën thirrje për kujdes: Rrugët janë të rrëshqitshme