Kosova
Trump dhe Vuçiq zhvillojnë bisedë telefonike
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën vonë se ka biseduar në telefon me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
“Sapo përfundova një bisedë me presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Trump. Biseda ishte e shkëlqyer, me përmbajtje, dhe do të thosha shumë e përzemërt”, tha Vuçiq në Instagram.
Ai tha se ndihet “mirënjohës” ndaj Trump që ai “menjëherë dinte shumë gjëra për Serbinë”.
“Shpreha shpresën time që ai do ta vizitojë Serbinë, pasi Serbia ishte vendi ku mbështetja për zgjedhjen e presidentit Trump ishte më e madhja në gjithë Evropën”, tha ai.
Ai theksoi se Trumpi e falënderoi për “mbështetjen e madhe” që ka marrë nga “qytetarët e Serbisë, nga populli serb, dhe besoj se në periudhën e ardhshme do të kemi mundësi të flasim për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, në të gjitha fushat”.
“Jam i sigurt që, me mbështetjen e miqve tanë – dhe me miq nënkuptoj të gjithë rrethin e presidentit Trump, të cilët ishin gjithashtu me të gjatë bisedës sonte – do të kemi mundësi të bëjmë, ai Amerikën të madhe, dhe ne Serbinë një vend të denjë, që mund të bashkëpunojë shumë mirë me Shtetet e Bashkuara”, tha Vuçiq.
Vuçiq e njoftoi për bisedën me Trumpin Millorad Dokidkun, presidentin e entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska. Vuçiq dhe Dodik ishin ndër liderët e parë botërorë që e uruan Trumpin për fitoren më 5 nëntor.
Po të njëjtën ditë, Shtetet e Bashkuara vendosen sanksione ndaj një individi dhe një kompanie në Bosnjë e Hercegovinë, duke i akuzuar se e mbështesin një rrjet të korrupsionit në Bosnjë e Hercegovinë, i cili është duke bërë përpjekje për t’i shmangur sanksionet amerikane.
Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha se ky rrjet është drejtpërdrejt i lidhur me të sanksionuarin Igor Dodik, djalin e Millorad Dodikut.
Edhe vetë Dodik është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për shkeljen apo pengimin e Marrëveshjes së Dejtonit, si dhe për aktivitete korruptive.
Gjatë viteve që administrata amerikane është udhëhequr nga presidenti demokrat Joe Biden, Serbia dhe liderët e saj politikë kanë vazhduar të mbajnë marrëdhënie të ngushta me ish të dërguarin amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell.
Presidenti i Serbisë i dorëzoi atij një dekoratë shtetërore në tetor të vitit 2023 dhe me atë rast vlerësoi se roli i Grenellit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës “jo vetëm që ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin rajonal, por ka luajtur edhe një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe Serbisë”.
Grenell ishte aktiv në fushatën presidenciale të Trumpit.
Serbia ka nënshkruar një kontratë me firmën e Kushnerit për “rivitalizimin” e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, i cili u shkatërrua pjesërisht gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Në vendin e rrënojave nga bombardimet, është planifikuar ndërtimi i dy ndërtesave të larta me apartamente dhe hotele, megjithëse nga ky objekt, i ndërtuar mes viteve 1955 dhe 1965, nuk është hequr statusi i mbrojtjes si pasuri kulturore.
Shumë vëzhgues të Ballkanit e kanë parë marrëveshjen me Kushnerin si përgatitje të Serbisë për kthimin e mundshëm të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Gjithashtu, gjatë administratës së parë Trump, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, por shumica e pikave të saj kanë mbetur pa u zbatuar.
Në atë administratë ka pasur edhe zyrtarë që kanë folur për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë – si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre – por edhe për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.
Por, marrëdhëniet e administratës Trump dhe në veçanti të Grenellit me kryeministrin Albin Kurtin ishin të tensionuara.
Kurti, kur mori për herë të parë detyrën në fillim të vitit 2020, përplasej shpesh me Grenellin, i cili e kritikoi publikisht, duke e cilësuar Kurtin si “antiamerikan” dhe duke e akuzuar se i kishte kundërshtuar politikat amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump.
Tensionet kulmuan në marsin e 2020-tës kur Qeveria e Kurtit u rrëzua nëpërmjet një mocioni mosbesimi, për të cilin Kurti pretendoi se ishte orkestruar me mbështetjen e Grenellit. /REL
E-Diaspora
-
13 vjet burgim për shqiptarin që hyri për të vjedhur një shtëpi në Londër Afro 13 vjet burgim për shqiptarin që vodhi shtëpinë e Raheem Sterling...
-
Leutrim Aliji, pianisti virtuoz që bashkoi muzikën klasike me shpirtin shqiptar
-
Art Julius Aurel kandidon për parlamentin e Steiermark-ut
-
Rihapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës
-
Promovohet në Cyrih libri i Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998 -1999”
Jeta në Zvicër
-
Si mund të kontrolloni për paralajmërimet e kontaminimit të ushqimit në Zvicër? Furnizimi i Zvicrës me ushqime është ndër më të sigurtit në botë, por kjo nuk do...
-
Në vitin 2025, shumë punëtorë zviceranë do të marrin paga më të larta
-
Si po përmirësohet karta e udhëtimit me tren ‘Half-Fare Plus’
-
Blerjet online: Rreth 700 dërgesa të paligjshme u sekuestruan për një javë
-
Si mund të kurseni para duke ndryshuar politikën tuaj shëndetësore në Zvicër?