Bota

Tronditet Austria: Vogëlushja 7-vjeçare theret me thikë dhe hidhet në mbeturina

Pasditen e së hënës, zëdhënësi i policisë austriake ka deklaruar se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet të madh

Me përjashtim të disa postuesve të urrejtjes, e gjithë Austria e pikëlluar me fatin e kësaj familje.

“Një mesazh i tmerrshëm na ka arritur”. Në këtë mënyrë fillon postimi në komunitetin mysliman çeçen. “Motra jonë e vogël Hadishat (7) është vrarë, është mbështjellë në një qese plastike dhe është vendos në një kontejner mbeturinash. E lusim Zotin që të na japë shumë forcë e durim”.

Përderisa disa postues të urrejtjes dhe për fat të keq, edhe fqinj në rrugën “Heiligenstädter Strasse” 11-25, përkatësinë e tyre fetare e përdorin për t’i ofenduar, shumica janë duke e ngushëlluar familjen me shpresë se policia austriake shumë shpejt do ta ndriçojë rastin në Döbling.

Pasditen e së hënës, zëdhënësi i policisë austriake ka deklaruar se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet të madh, përcjell Albinfo.ch.

“Hetimet e ndërmarra policore janë duke u marrë aktualisht me kërkimin e saktë të gjurmëve dhe analizat e tyre të sakta”, kanë pohuar nga Drejtoria policore e shtetit në Vjenë.

Gjatë ditës së hënë, gjithashtu është kërkuar me qenë nuhatës nëpër të gjitha lokacionet e dyshimta.

Të përkujtojmë se shtatëvjeçarja nga Vjena u ther me thikë në qafë. Një gjë e tillë është dëshmuar nga obduksioni i kufomës gjatë të dielës. Kufoma e vogëlushes ishte gjetur gjatë të shtunës në një kontejner për mbeturina.

Për herë të fundit, ajo ishte parë të premten rreth orës 15.00 në një oborr lojërash për fëmijë të ndërtesës, në të cilën ka jetuar e ëma e saj. Pak para mesnatës, një familjar e kishte lajmëruar si të zhdukur.