Lajme
Tringa, 26 vjeçe, nis doktoratën në Danimarkë
Tringa, antropologia e pasionuar shqiptare nga Danimarka
Tringa Berisha, 26-vjeçarja shqiptare nisi Doktoraturën për Antropologji Pedagogjike në Universitetin “Danish School of Education”, një ndër universitetet më në zë në botë, shkruan albinfo.ch.
Secili prej nesh takon personalitete që shquhen për të arritura në fushën profesionale. E pikërisht Tringa Berisha, e reja shqiptare që është lindur dhe rritur në Danimarkë, ka një personalitet interesant dhe me shumë perspektivë.
Ajo shquhet si në formimin intelektual, profesional dhe etik, sepse bota e saj, angazhimet dhe ambiciet kanë të tjera dimensione.
Në fakt, për të mjafton dëshira dhe vullneti për të arritur realizimin e ëndrrave në destinacionin e duhur.
Pavarësisht moshës së re, Tringa si 26-vjeçare nisi Doktoraturën për Antropologji Pedagogjike në Universitetin “Danish School of Education” (Aarhus University), një ndër universitetet më në zë në botë.
Ajo është studente briliante në shtetin danez dhe ka “rrëmbyer” titullin “Bachelor” dhe “Master” me afat rekord për Antropologji dhe Komunikim në Degën ndërkombëtare. Po ashtu është autore e dy punimeve shkencore që tashmë janë botuar në gazetat e studimeve antropologe.
Jeta profesionale në Danimarkë
Ani pse Tringa ka lindur, jeton dhe vepron në Danimarkë, ajo është me origjinë nga një fshat në periferi të Prishtinës, i quajtur Siqevë. Para shumë vjetësh prindërit e saj emigruan nga Kosova në shtetin danez, për një jetë më të mirë, shkruan tutje albinfo.ch.
Tringa është rritur në një familje të arsimuar dhe shkollimi ka qenë një ndër temat kryesore.
“Të dy prindërit e mi kanë qenë të shkolluar dhe gjithmonë është folur në shtëpi se shkolla është jo vetëm diçka e rëndësishme, por edhe një rrugë e domosdoshme dhe formuese. Në shkollën fillore kisha sukses të madh në çdo lëndë. Në anglisht lexoja libra që ishin për 2-3 klasë më të mëdha se unë, pasiqë edhe motra ime ishte më e madhe dhe më ushtronte. Kështu që në moshë të re njohuritë për gjuhën angleze i kisha shumë të mira”.
Për Tringën, ambientimi në shkollën e mesme ishte i vështirë dhe një sfidë. Ndërrimi i ambientit nga shkolla fillore me shumë diversitet etnik, në një shkollë homogjene, ndikoi jo mirë për të.
“Kulturat që dalloheshin nga kultura daneze, veçmas ajo myslimane, e kuptova që ishte gati tabu. Adoptimi në kode sociale me një ambient të ri, me njerëz të rinj, më mirrte shumë energji dhe, në fakt, e përjetova shumë rëndë. Me pak fjalë, Gjimnazi ishte ambient që më bënte të ndihem jo mirë, por me kohë mora veten dhe fillova të ndryshoj mendim, duke u lënë përshtypje të mira audiencës daneze, veçmas profesorëve me angazhimin tim”, tregon ajo.
Tringa është shumë krenare që është shqiptare, por njëkohësisht kjo nuk i konvenonte fare në ambientet e shkollës së mesme.
Asistente dhe autore e disa punimeve shkencore
Tringa pasi përfundoi Gjimanzin, vazhdoi studimet për Antropologji dhe Komunikim në Degën ndërkombëtare, duke diplomuar me nota të larta.
“I gjithë shkollimi ishte në gjuhën angleze, ishte në favorin tim, sepse e njihja shumë mirë, por edhe kishte kolegë prej vendeve të ndryshme të botës. Provimet i përfundova në afat rekord, ndërsa në temën e diplomës “Bachelor” bashkëpunova me dy kolege, për riprodhimin e perceptimit selektiv për Histori koloniale të Danimarkës, që na u publikua si artikull shkencor në një gazetë të studimeve antropologjike”, tregon ajo.
Po në të njëjtin drejtim Tringa i vazhdoi edhe studimet Master. Ajo qëndronte shumë kohë në bibliotekë, duke studiuar dhe punuar tema. Që në provimin e parë, profesori i saj i propozoi që punimi i Tringës të publikohet si artikulli i dytë i saj shkencor. Ndërkohë që tema e diplomës në Master e kishte titullin “Nënshtetasi i mirë: Gjimnazi civilizues dhe pozicionalizimi i studentëve”.
Nga ana tjetër, Doktorata ishte në synimet e Tringës. Ajo u pranua në “Danish School of Education” në Departamentin “Psikologji pedagogjike”. Projekti i saj do të bëhet me metoda e teori të antropologjisë.
Ajo po studion eksperiencat e racionalizimit në gjimnazet e Danimarkës, duke u fokusuar në mekanizmat se si norma sociale negociohet në dialog, në përditshmëri, duke e marrë parasyshë rëndësinë e gjuhës, ndjenjave dhe trupit.
“Doktoratura në Danimarkë konsiderohet punë me orar të plotë, ku punon për fakultetin që të ka pranuar, ndërkohë që fakulteti e finanacon hulumtimin. Unë jap mësim për studentët e masterit, përveç që punoj në projektin tim”, shprehet ajo.
“Kosovën e dua shumë dhe më lidh gjithçka”
Tringa është shumë e lidhur me Kosovën, sepse ajo është rritur me frymën e atdhedashurisë nga prindërit e saj.
“Prindërit gjithmonë na kanë mbajtur të lidhur me Kosovën. Si profesorë të gjuhës shqipe, të dy prindërit, kanë insistuar të flasim e gjithë familja vetëm shqip në shtëpi. Gjithashtu kemi vizituar çdo verë nga 6 javë Kosovën. Duke u rritur, ne krijuam edhe shoqëri atje dhe sot kemi lidhje të ngushta dhe e vizitojmë edhe më shpesh”, tregon ajo.
Tringa është fejuar me kosovar dhe tregon se ardhjet e saj janë shumë më të shpeshta në Kosovë, duke kryer edhe praktikë në një organizatë joqeveritare dhe ka jetuar plot 14 muaj në Prishtinë.
“Për një njeri që është lindur dhe rritur në Danimarkë, them që jam shumë e lidhur me Kosovën”, përfundon Tringa. /Albinfo.ch
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
Jeta në Zvicër
-
Rritja e taksave turistike e planifikuar për Crans-Montana nxit zemërimin e pronarëve Resorti Valais i Crans-Montana planifikon të rrisë taksat turistike nga 3 në 5 franga për natë...
-
Policia ndalon trafikun në tunelin Gotthard për shkak të borës
-
Bora pengon qarkullimin rrugor në Alpe
-
Çmimet e ndërtimit janë ende në rritje, por jo në Ticino
-
A janë zviceranët dorështrënguar?